Skandali në zyrën e Kryeministrit, zv.sekretarja e Përgjithshme e Kryeministrisë bënte paralelisht edhe punën si avokate private në Strasburg kundër Shqipërisë.

Një skandal i ri ka përfshirë sferat më të larta të qeverisjes. Zv.sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Ministrave Elira Kokona, ka ushtruar aktivitetin e saj privat si avokate edhe pse që nga viti 2013 është emëruar në detyra të larta të administratës publike. Kështu me ardhjen në pushtet të Edi Ramës, Elira Kokona është emëruar sekretare e përgjithshme e ministrisë së Kulturës, por pavarësisht kësaj paralelisht ajo ka vazhduar e qetë punën si avokate, madje në çështje në gjykatën e Strasburgut.

Sipas dokumenteve zyrtare që News24 disponon, Elira Kokona rezultonte se e ushtronte lirshëm aktivitetin e avokatit, madje pa bërë asnjë dorëheqje formale. Në një shkresë të Gjykatës së Strasburgut në Janar të vitit 2014 ku informohej Avokatura e Shtetit shqiptar mbi numrin e çështjeve në proces deri në 20 dhjetor 2013, Elira Kokona figuron e përfshirë si avokate në 12 çështje private, duke përfaqësuar klientët e saj edhe pse ajo ishte emëruar në detyrën e Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Kulturës që prej tre muajsh.

Sipas ligjeve në fuqi detyra e Sekretarit të Përgjithshëm është kategorikisht e papërputhshme me ushtrimin e profesioneve të tjera, por në rastin në fjalë kemi të bëjmë me një konflikt të pastër interesi të dyanshëm. Pasi si avokate Elira Kokona në shpërdorim të pastër detyre, duhet të mbronte në Strasburg interesat e klientëve të saj që ishin në gjyq me qeverinë, ndërkohë që ajo ishte pjesë e rëndësishme e saj.

Sipas vendimit të 24 qershorit 2014, rreth 9 muaj pasi Elira Kokona ishte emëruar si Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë Kulturës rezulton se ka qenë avokate e zonjës Selvi Beçaj kundër Shqipërisë. Në prezantimin e palëve gjykata e Strasburgut përmend zëvendësimin e përfaqësues se qeverisë e cila deri në shtator të 2013 kishtë qenë Ledina Mandia, avokate e shtetit gjatë qeverisjes së Sali Berishës, me Alma Hiçkën avokaten e shtetit të vendosur nga Edi Rama.

Ndërsa Elira Kokona ka vazhduar paralelisht punën si avokate dhe në vendimin e gjykatës së Strasburgut nuk rezulton e zëvendësuar apo e larguar.

Në një dokument të shqyrtuar nga gjykatat e Strasburgut të PRIMA SH.P.K. dhe Artan KOZMAI kundër Shqipërisë, i cili ka datën 6 janar 2015, Elira Kokona edhe pse ishte në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës rezulton se është avokate e palës ankimuese.

Por pas emërimit në administratën e lartë shtetërore Elira Kokona ka përfaqësuar si avokate klientët edhe në çështje edhe në Shqipëri. Në vendimin nr. 52 të 2 dhjetorit 2013, Elira Kokona ka qenë përfaqësuese e zotit Bujar Dede, në asnjë rresht të vendimit nuk përmendet largimi i përfaqësimit nga Elira Kokona, që nëse do të kishte ndodhur pas emërimit të saj në detyrë do të ishte shkruar dhe nënvizuar në vendim.

Pavarësisht këtij shpërdorimi të pastër të detyrës, Elira Kokona ka vazhduar karrierën në shkallët e qeverisjes, ku nga Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës, në vitin 2017 është emëruar Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa në vitin 2022 ka kaluar si zëvendëse e Engjëll Agaçit, si Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë.