Shoqata “Gazetarët Profesionistë të Shqipërisë” ka reaguar përmes një postimi në Facebook për sulmin me armë ndaj televizionit Top Channel në orët e para të mëngjesit, ku për pasojë mbeti i vdekur roja e sigurisë, Pal Kola 60 vjeç.
Shoqata e konsideron këtë si një sulm terrorist që rëndon klimën e vështirë në të cilën po punojnë gazetarët në Shqipëri.
“DEKLARATE SOLIDARITETI ME TOP CHANNEL
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë dënojnë me forcë sulmin terrorist me armë në orët e para të mëngjesit të sotëm ndaj televizionit kombëtar Top Channel, gjatë të cilit humbi jetën roja i sigurisë.
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë shprehin solidaritetin e plotë me kolegët e gjithë komunitetin e Top Channel dhe i shprehin ngushëllimet më të ndjera familjarëve të të ndjerit Pal Kola.
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë u bëjnë thirrje agjencive ligjzbatuese për hetime të sa më të shpejta dhe transparente mbi këtë ngjarje tronditëse për gjithë komunitetin e gazetarëve.
Kjo ngjarje tejet e rëndë, ku siguria e medias vihet në pikëpyetje, veçse rëndon klimën e vështirë në të cilën po punojnë gazetarët në Shqipëri”.