Vazhdojnë me ritme intensive investimet në lagjet e mëdha, Llatja: Kemi detyrime ndaj qytetarëve që na besuan

Fillon rehabilitimi dhe asfaltimi i rrugës në lagjen Coha, fshati Gjonme, Njësia Administrative Gjergjan. Një rrugë me gjatësi 450 metra, që do t’u shërbej të gjithë banorëve të zonës duke rritur kështu cilësinë e jetesës dhe zhvillimin e zonës. Investimet po vazhdojnë në lagjet e brendshme të fshatrave dhe nuk do të ndalen, po punohet si në qytet ashtu edhe në fshat me ritme të larta dhe kështu do të vazhdojë pa u ndalur. 

 Inspektimin e punimeve e ka parë nga afër kryetari i Bashkisë z. Gledian Llatja, i shoqëruar nga drejtuesi politik i qarkut z. Damian Gjiknuri si edhe deputetja Desantila Tahiraj.

 Kjo rrugë me një gjatësi rreth 450 metra, ishte një kërkesë e vetë banorëve të zonës gjatë procesit të Buxhetimit me Pjesëmarrje, dhe tashmë punimet vijojnë me shtrimin e asfaltit dhe më pas me ndriçimin.

 Kryetari i Bashkisë z. Gledian Llatja, pohoi se “aktualisht punimet kanë nisur në lagjen “Coha” të njësisë administrative Gjergjan dhe kjo rrugë është në vazhdën e shumë investimeve që ka ndërmarrë bashkia Elbasan në të gjitha njësitë administrative. Me ndërhyrjet që ne si bashki po bëjmë kemi parashikuar për rehabilitimin e një sërë rrugësh për të përmirësuar cilësinë e jetesës së qytetarëve jo vetëm në qytet, por edhe në çdo njësi administrative, sidomos aty ku janë fshatrat e mëdhenj por edhe lagjet e populluara të fshatrave”.

Duke u ndalur tek investimet që po kryhen në infrastrukturë në të gjithë territorin e bashkisë, z. Llatja shtoi se “po bëhemi gati për të ndërhyrë paralelisht në mbi 30 rrugë gjatë kësaj periudhe, ku edhe me stabilizimin financiar që i është bërë bashkisë së Elbasanit kemi filluar një sërë investimesh.

Kjo rrugë do t’i shërbejë 50 familjeve të fshatit Gjonme, i cili është një nga fshatrat e mëdhenj të njësisë administrative Gjergjan, ku nuk ishte ndërhyrë në lagjet e brendshme, ashtu siç është ndërhyrë edhe në fshtrat e tjerë të kësaj njësie, si Gjergjan por edhe Thanë, sakaq pas asfaltimit ne do të përfundojmë edhe ndriçimin”, tha Llatja.

Duke u ndalur tek punët e kryera gjatë ketij mandati si kryetar i Bashkisë Elbasan, z. Llatja duke ju drejtuar banorëve, u shpreh se “në nisje kur diskutonim bashkë në fushatën e parë të vitit 2019, ku ishte një garë në të cilën na lanë vetëm, na lanë pa kundërshtarë politik, pavarësisht kësaj ne nuk e lamë garën, vazhduam punën, edhe këtu në Gjonme, pikërisht për të zgjidhur problematikat, dhe atë që ju keni më shumë, infrastrukturën. E dimë që fshati është bërë si qytet, sidomos fshatrat e mëdha që i kemi të zhvilluar ekonomikisht ndaj kemi vazhduar me rrugët kryesore nuk kemi bërë asnjë ditë pushim.

 Ndryshe nga ata të tjerët të cilët kujtohen vetëm një muaj para fushate duke bërtitur, sikur çfarë ka ndodhur, jo që kanë 16 vite që nuk e kanë ngritur zërin njëherë, apo të vinin në Këshillin Bashkiak dhe ta kërkonin, por zero. Tani zgjohen nga gjumi dhe kujtohen se kjo punë nuk është bërë. Por ne që punojmë përditë, ne për këtë punojmë.

 Të gjitha përnjëherë nuk bëhen, ato që duhet të ishin bërë për 30 vite nuk bëhen as për një as për dy vite. Por ne jemi në rrugë të mbarë për t’i zgjidhur problematikat edhe në fshat edhe në qytet. Realisht po punojmë për këtë, nuk po dëgjojmë zhurmat e portaleve, të foltores, të cilët dalin bërtasin, shfryjë, shajnë, dhe fusin shkopa nën rrota. Ne po vazhdojmë punën dhe kjo është e rëndësishme për ne”.

Llatja falenderoi banorët e fshatit Gjonme për besimin që i kanë dhënë, ndërsa premtoi se investimet do të vijojnë.

“Fokusi ynë është te puna, jo te llafet e te zhurma e atyre që vetëm shfryjnë e bërtasin dhe kujtohen të flasin tani pas një gjumi të gjatë. Elbasani është i njerëzve që punojnë e sakrifikojnë çdo ditë, jo i prapambetjes dhe interesave personale të atyre që duan të shfrytëzojnë punën e njerëzve për politikën e ditës”.