Popullsia e Europës përveçse po plaket me shpejtësi po vuan nga deformimet gjinore, ku në disa vende meshkujt janë më të shumtë në numër se femrat dhe në disa shtete fermat janë në epërsi.
Të dhënat nga Eurostat tregojnë se Shqipëria bashkë me Azerbajxhanin ka raportin më të balancuar gjinor femra -meshkuj më 2021. Shqipëria kishte 100.7 ferma për 100 burra dhe Azerbajxhani 100.2 femra për 100 burra. Të dhënat më të detajuara për shtetet e Europës tregojnë se raportet me të deformuara gjinore e kanë vendet e Baltikut ku femrat janë më të shumta në numër se meshkujt. Raportin më të përkeqësuar e ka Letonia, ku në vitin 2021 raportohen më shumë se 116 gra për 100 burra, më tej Ukraina me 115.8 gra për 100 burra, Lituania me 112.8 gra për 100 burra, më tej Portugalia 112 gra për 11 burra.
Në të kundërt Malta është vendi që kryeson listën për raportet gjinore në favor te meshkujve. Në vitin 2021 kishte 93.3 gra për 100 burra, e ndjekur nga Islanda me 95.1 gra për 100 burra, Norvegjia me 98.3 gra për 100 burra. Në rajonin e Ballkanit, Serbia renditet e para për raportin e grave më të lartë më shumë se të burrave, pasi më 2021 ishin 105.4 gra për 100 burra, me tej Kosova me 103.7 gra për 100 burra (të dhënat për Kosovën i përkasin vitit 2020), Mali i Zi me 102.3 gra për 100 burra, Shqipëria me 100.7 femra për 100 meshkuj, ndërsa Maqedonia ka një raport gjinor në favor të meshkujve me 99.8 gra për 100 burra.
Në Shqipëri raporti gra për 100 burra shënoi përkeqësim gjatë vitit 2021 si pasojë e nivelit të lartë të emigracionit te të rinjve. Në vitin 2020 në vendin tonë numëroheshin 100.3 gra për 100 burra, ndërkohë që më 2021 ky raport u përkeqësua duke arritur në 100.7 gra për 100 burra.
Sipas të dhënave të brendshme nga INSTAT, në vitin 2021, gratë përbëjnë 50,3 % të popullsisë gjithsej. Shtesa natyrore, gjatë vitit 2021 është më e ulët për gratë sesa për burrat, përkatësisht -514 dhe -2.782. Migracioni neto i grave shënon vlerën -12.713 gra të emigruara më shumë sesa të kthyera në 2021. Migracioni neto i burrave është gjithashtu negativ, -20.140 burra të emigruar më shumë sesa të kthyer. Migracioni neto negativ i burrave dhe i grave ka ndikuar në rënien e përgjithshme të popullsisë. Raporti gjinor sipas grup-moshave tregon se ka një mbizotërim të gjinisë mashkullore deri në grup-moshën 35-39 vjeç. Mosha mediane për burrat, në vitin 2021 është 37,3 vjeç ndërsa për gratë është 39,1 vite. Mosha mediane më e lartë tek gratë shpjegohet me jetëgjatësinë më të lartë të tyre. Në vitin 2021, jetëgjatësia në lindje është llogaritur të jetë 74,4 vite për burrat dhe 78,7 vite për gratë. Kjo do të thotë se gratë jetojnë 4,3 vite më shumë./monitor