Numri i viktimave nga tërmeti i fuqishëm 7.7 Rihter që goditi Turqinë dhe Sirinë mëngjesin e sotëm ka arritur mbi 1000.
Mediat turke raportojnë se qindra të tjerë janë ende të bllokuar nën rrënoja, teksa bëjnë thirrje për ndihmë dhe ekipet e shpëtimit bëjnë përpjekje për t’i lokalizuar, duke dëgjuar britmat e tyre.
Në një deklaratë presidenti i Turqisë, Tajip Erdogan tha se 912 qytetarë turkë humbën jetën dhe 5385 persona u plagosën.
Ka rrezik të madh që këto shifra të vazhdojnë të rriten me ritme të shpejta, duke pasur parasysh faktin se ndërtesat e banimit janë shembur në qytete si Adana, Gaziantep, Sanliurfa, Dijarbakir.
Tërmeti 7.7 ballë i ka dhënë një goditje ndërtesave duke u dëmtuar strukturën, ndërsa pasgoditjet po i rrafshojnë ato. Siç shihet në videon e mëposhtme një ndërtesë është rrafshuar në pak sekonda, pas tërmetit që vijnë si pasgoditje. Turqia ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme pas tërmetit që u mori jetën mbi 900 personave.
Po ashtu numri i viktimave nga tërmeti është rritur edhe në Siri, ku raportohet se kanë humbur jetën mbi 384 persona.