Dhuron pajisje mjekësore/ Llatja falenderon KMSH-në për donacionin në Spitalin Rajonal të Elbasanit

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është ndalur sot në Elbasan, për të dhuruar pajisje mjekësore për institucionet shëndetësore të Elbasanit. Pajisjet janë dhuruar në Qendrën spitalore të Elbasanit, ku konsistojnë më së shumti pajisjet ego – skaner, dhuratë nga organizatat e huaja franceze dhe zvicerane në bashkëpunim me Komunitetin Musliman Shqiptar.

Kryetari i Komunitetit Bujar Spahiu është pritur nga kryetari i Bashkisë Gledian Llatja i cili shprehu mirënjohjen për këto dhurata të cilat do të shërbejnë për komunitetin dhe stafin mjekësor. “Falenderojmë Komunitetin Mysliman për ndihmat e vazhdueshme, ne kemi një bashkëpunim të mirë me Komunitetin Musliman por edhe me organizatat të cilat kohët e fundit pas pandemisë na kanë ndihmuar për riforcimin e sistemit tonë shëndetësor. Nuk i kemi  gjithë infrastrukturat tona shëndetësore si në spitalin e Elbasanit, kemi probleme në qendrat shëndetësore sidomos në zonat e thella rurale që kanë nevojë për ndihmë shoqërore, ndaj duhet të kemi një bashkëpunim të vazhdueshëm edhe në të ardhmen për ti ardhur në ndihmë edhe komuniteteve periferike më të vogla të cilat e kanë pak problem transportin. Ky bashkëpunim që nisëm sot me këto pajisje është një gjë shume e mirë dhe shpresoj që ta vazhdojmë edhe në qendra të tjera shëndetësore edhe komuniteteve me pajisje, por pse jo edhe në infrastrukturë”, tha kryebashkiaku Llatja.

Kryetari i Komunitetit Musliman Bujar Spahiu premtoi se edhe në vijim, edhe me organizata të huaja si e Francës dhe Zvicrës  do të vazhdojmë të ndihmojmë pasi në qendër është njeriu si qenia më madhështore që duhet ti shërbejmë në të gjitha sferat, duke shprehur mirënjohje për profesionin e mjekut.