Biznesmeni shqiptar i Kosovës, Bedri Rexhepi rezultonte deri dje i zhdukur prej më shumë se një viti. Eshtrat e tij janë gjetur dhe pas ekspertizës, rezultatet u janë përcjell dhe familjarëve, të cilët kanë njoftuar ceremoni mortore këtë të enjte.
“Si familje kemi pasur besim në institucionet tona dhe asnjëherë nuk kemi rreshtur së kërkuari Bedriun, megjithëse jeta e tij veqse kishte përfunduar më datën 8 prill 2021 nga dora e kriminele të cilët tani janë në dorë të organeve të rendit. Shpresa dhe dëshira jonë në këtë moment është që kriminelët ta marrin dënimin e merituar.
Njashtu, duam t’ju informojmë që Bedriu ka rënë pre e një mashtrimi me qellim të ulët të grabitjes, në mënyrën më tradhtare. Më e keqja dhe goditësja është se ky akt makabër i është shkaktuar nga një familje të cilës Bedriu jonë vazhdimisht i ka shtrirë dorën e përkrahjes dhe pa aspak hezitim i ka ndihmuar”, ka thënë familja Rexhepi, për mediat në Kosovë.
Biznesmeni shqiptar i Kosovës, Bedri Rexhepi
Prokuroria ka ngritur akuzë për vrasje dhe dëmtim të kufomës ndaj dy shtetasve, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, të cilët kanë pasur dhe njohje me biznesmenin e vrarë. Sipas organit të akuës në Kosovë, vrasja ka ndodhur për 30 mijë euro.
“Kam arritur të vërtetoj dhe kam ngrit aktakuzë ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, në drejtim të veprave vrasje e rëndë në bashkëkryerje dhe dëmtimi i kufomave. Motivi i kryerjes së këtyre veprave është i ulët. Sipas hetimit tonë, rezulton se vrasja ka ndodhur për shkak të përfitimit material, për 30 mijë euro”, ka deklaruar prokurori i rastit.