Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti përvëlues që ka mbërthyer vendin tonë parashikohet të zgjasë edhe për ditët e para të kësaj jave. Mëgjithatë, në pjesën e dytë të javës Anticikloni Afrikan fillon dhe tërhiqet gradualisht, ndërsa pritet edhe rënie e lehtë dhe graduale e temperaturave.
Në këtë mënyrë, me sa kuptohet dhe nga më sipër, moti për të gjitha ditët e kësaj jave (përjashtuar ditën e premte) parashikohet kryesisht i kthjellët dhe me alternime vranësirash kalimtare nga orët e mesditës deri tek ato të pasdites. Dita e premte parashikohet me alternime kthjellimesh e vranësirash mesatare dhe të dendura.
Në relievet kodrinore – malore të vendit vranësirat nga mesdita deri pasdite do të jenë hera-herës deri të dendura. Ato do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme dhe afatshkurtra në formën e shtrëngatave.
Por, në mënyrë të izoluar dhe periudha tepër afatshkurtra, këto reshje në këto zona do të jenë edhe në formën e rrebesheve dhe stuhive, shoqëruar me breshër dhe shkarkesa elektrike.
Për ditën e premte reshjet e shiut do të përfshijnë pjesën më të madhe të territorit me intensitet të ulët deri mesatar në formën e shtrëngatave dhe të herëpashershme. Lokalisht reshjet do të jenë në formën e rrebesheve dhe stuhive, shoqëruar me breshër dhe shkarkesa elektrike.
Për t’u theksuar janë disa fakte: ditët më të nxehta të kësaj jave do të jenë e hëna dhe pjesërisht dita e martë, më pas pritet një rënie graduale e temperaturave në vlerat e mesditës. Për shkak të lagështirës relativisht të lartë, ndjesia e temperaturave për trurpin e njeriut do të jetë disa gradë më e lartë sesa ajo reale e matur nën hije në kafazin meteorologjik. Duke filluar nga dita e mërkurë pritet erë me drejtim kryesor nga kuadrati i veriut, që përgjatë vijës bregdetare hera-herës arrin shpejtësi deri në 7-10m/s, shpejtësi kjo relativisht intensive.