Një shqiptar në Selanik ka qëlluar me armë zjarri brenda pallatit në të cilin jetonte. Mediat greke bëjnë me dije se në moment që ka shtëna, është dëgjuar të thotë me zë të lartë “thërrisni policinë, më dhunojnë gruan”.
Mësohet se ai ka qenë në gjendje shoku, ndërsa pasi ka qëlluar në ambientin e pallatit ku jetonte, ka shtënë edhe ndaj një apartamenti në katin e dytë, e më pas është ngjitur në katin e katërt ku banonte, dhe është future në banesë ku ndodheshin tre fëmijët e tij të mitur dhe ka nisur të qëllojë sërish.
Në këtë kohë, bashkëshortja e tij nuk ndodhej në banesë, pasi ishte në maternitet për të lindur fëmijën e tyre të katërt. Pas këtyre veprimeve, ai është larguar me mjetin e tij, por gjatë rrugës është aksidentuar, ndërsa më pas është arrestuar nga policia.
Nga informacionet paraprake, mësohet se shqiptari është rreth moshës 32 vjeç, por nuk dihen të dhëna për identitetin e tij. Pas arrestimit, policia ka ushtruar dhe kontroll në banesën e tij, ku ka gjetur 23 kg marijuanë, 1.2 kg kokainë dhe 16 mijë euro.
Po ashtu në pranga ka rënë edhe vëllai i tij 29-vjeçar.