Një i ri ka humbur jetën paraditen e kësaj të enjteje, si pasojë e një aksidenti të rëndë të ndodhur në Rrugën e Kombit. Mjeti tip Mercedes Benz me të cilin udhëtonin dy të rinj nga Tropoja, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në një humnerë.
Identiteti i dy të rinjve nuk bëhet ende me dije, por mësohet se ata janë nxjerr nga makina dhe janë dërguar me urgjencë në spitalin e Kukësit. Të dy kanë qenë në gjendje të rëndë, por fatkeqësisht njëri nuk u ka mbijetuar dot plagëve.
Ata ishin nisur nga Tirana me makinën e tyre dhe do të udhëtonin në drejtim të Kukësit, por afërsi të fshatit Kolsh kanë dalë nga rruga dhe kanë rënë në humerë, të paktën 100 metra. Shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje prej orëve të para të mëngjesit.
Dyshimet janë se shoferi i mjetit ka humbur kontrollin dhe ka kryer një manovër të gabuar, pasi në Rrugën e Kombit, në pjesën kur Mercedesi ka dalë nga karrexhata nuk ka gjurmë frenimi.