E ftuar në studion e emisionit “E diela shqiptare” në Tv Klan për të rrëfyer historinë e familjes së saj ishte Naimja. Nëna e Naimes është shqiptare, ndërsa i ati nga Maqedonia dhe të dy u njohën me anë të një shkuesie. Martesa e tyre nuk mundi të mbijetonte dhe u divorcuan kur Naimja ishte 6 vjeç dhe vëllai i saj 3. Ndarja e prindërve ishte vetëm nisja e vështirësive për të. Në fillim gjithçka shkonte mirë nën përkujdesjen e të atit derisa 7 muaj pas divorcit, vendosi të martohej me një grua tjetër. Naimja tregoi se marrëdhënia me njerkën e saj kishte fjalë kyçe dhunën. Veprime çnjerëzore ndaj saj dhe vëllait më të vogël të Naimes të cilët frika i pengonte të mos i tregonin asgjë babait.
Naime: Pas 7 muajsh vendosi të martohet me një grua. Në fakt, që atëherë, mendova se jeta mori fund, s’kishte më jetë për ne.
Ardit Gjebrea: Pse Naime?
Naime: S’e di, ajo nuk sillej mirë me ne, por kishim edhe dhunë psikologjike, fizike. Nuk na donte.
Ardit Gjebrea: Ju rrihte?
Naime: Çdo herë. Më shumë unë sepse vëllai ishte më i vogël dhe mundohesha të merrja fajet, më vinte keq se ishte më i vogël.
Ardit Gjebrea: Po çfarë fajesh duhej të merrje përsipër që të të rrihte ajo?
Naime: Nuk e di, thjesht fajësonte mamin që s’na kishte marrë, pse na kishte lënë aty. Mua nuk më dashur asnjëherë, gjithmonë më ka urryer, më shihte si armike, si shkaktare, asnjëherë s’më ka dashur.
Ardit Gjebrea: Por kur babi shkonte dhe punonte, çfarë bënte ajo?
Naime: Babi nuk ka ditur asnjëherë pjesën se çfarë na bënte ajo në shtëpi sepse nuk na shihte.
Ardit Gjebrea: Por pse nuk i tregoje babit?
Naime: Nuk i tregoja babit sepse nesër kur ikte përsëri në punë, ne kishim më shumë dhunë sesa…ishte çdo gjë më keq, ndaj vendosëm që më mirë të mos tregojmë asgjë sesa të bëhej diçka më e madhe.
Ardit Gjebrea: Po si sillej ajo me ju në sy të babit?
Naime: Në sy të babit sillej pak më ndryshe, bënte sikur na donte, por në fakt s’na donte fare, na ka urryer gjithmonë. Babi shihte disa pjesë, por ndonjëherë reflektonte, ndonjëherë jo.
Ardit Gjebrea: Ju ushqente, kujdesej për ushqimin tuaj, si ju trajtonte për të ngrënë?
Naime: Derisa u rrita unë, pastaj kujdesesha më shumë unë. Më detyronte të punoja në disa raste. Në shtëpi kujdesesha unë për punët sepse ndonjëherë punonte ajo. Ndonjëherë i fshihte lekët vetëm që babi të sillej keq, të më dhunonte mua.
Ardit Gjebrea: Të mendonte që i merrje ti lekët? Pra ajo i fshihte lekët e babit që të mendonte që i merrje ti lekët dhe fillonte druri.
Naime: Fillonte dhuna, pas një kohe që mbaroja gjithë gjëja, dilnin lekët ose nuk i nxirrte fare ndonjëherë.
Pas shumë vitesh të vështira, Naimja ka mundur të bashkohet me nënën, Majlindën dhe të jetë krah saj për të gjithë kohën që e mbajtën larg.
Naime: Mami, të kam ftuar sot këtu që të të kërkoj falje për çdo herë që të kam lënduar, që të kam bërë të ndihesh keq, për të gjitha ato vite që s’jemi takuar bashkë, që çdo herë që vije ktheheshe duke qarë për shkak se unë isha e detyruar të të ofendoja. Nuk kam gjetur kurrë guximin të të kërkoj falje dhe besoj se ku ka më mirë se sot këtu, të të them më fal dhe faleminderit që më ke qëndruar pranë për çdo gjë. Të dua shumë. E di se mërzitesh çdo herë për vëllain që nuk e takon, por shpresoj që nëpërmjet këtij programi të reflektojë edhe ai dhe e di që një ditë do kthehet dhe ai, do jemi të lumtur të gjithë bashkë.
Majlinda: Jam krenare, shumë faleminderit. Nuk e prisja se do ndodhnin këto, por i ka jeta fatkeqësitë.
Naime: Të dua shumë dhe dua të qëndrosh gjithmonë kështu e fortë siç ke qëndruar.
Majlinda: Edhe unë të dua shumë. Për ju jetoj.
Naime: Faleminderit që ekziston!
Burimi: tvklan.al