Kryeministri Edi Rama ka uruar sot besimtarët myslimanë me rastin e nisjes së agjërimit në muajin e shenjtë të Ramazanit.
Kryeministri Rama ka publikuar foto nga Xhamia e re në Elbasan për të uruar besimtarët myslimanë.
“Ajo çka Zoti u jep edhe atyre që nuk besojnë është mundësia e të kuptuarit të vlerës së paçmueshme të vetëpërmbajtjes dhe në këtë mbrëmje që sjell ditën e parë të hënës së re të Ramazanit, me këto pamje të Xhamisë së re të Elbasanit, u uroj megjithë zemër e plot respekt ndjekësve myslimanë të kalendarit hënor të Islamit, një muaj me agjërim të pranuar e me lehtësim të bekuar prej ndjesisë së të pasurit të Allahut pranë në krah, falë vetëpërmbajtjes së këshilluar prej urtësisë qiellore”, shprehet Kryeministri në urimin e tij.
Fillimi i muajit të agjërimit përcaktohet në bazë të lëvizjes së Hënës, e cila për të gjithë myslimanët në çdo cep të botës përcjell një drejtësi, apo një harmonizim për ta kryer sa më të plotë këtë muaj të begatë.
Përveç vlerave shpirtërore e morale, agjërimi, ka gjithashtu edhe një vlerë shoqërore shumë të madhe, atë të bashkimit të njerëzve mes tyre dhe kontributit për ata që kanë nevojë.




ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.