Transformohet totalisht pallati i Sportit “Tomorr Sinani”/ Llatja: Investimet në terrenet sportive vazhdojnë

Bashkia e Elbasanit një prioritet të veçantë vazhdon t’i kushtojë edhe investimeve në terrenet sportive të qytetit por jo vetëm. Pas rimodelimit të minikalçetos së futbollit në Kompleksin Sportiv” Shefqet Lamçja”, si edhe rrethimit të saj, një tjetër investim, i cili thuajse ka transformuar totalisht Pallatin e Sportit “ Tomorr Sinani”, është parketi, i cili kishte shumë dekada pa u ndërruar.

 Gjatë një takimi me sportistët vajza dhe djem basketbollistë të ekipit të Elbasanit, kreu i Bashkisë Z. Gledian Llatja inkurajoi të rinjtë të jenë pjesëmarrës në sporte të ndryshme.

Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja në mbështetje të ekipeve sportive në Elbasan, premtoi se brenda këtij viti do të nisë edhe sistemi i ndriçimit të Pallatit të Sportit, si edhe ndryshimi i karrigeve.

“ Nëse të rinjtë afrohen tek sporti, tek të gjithë terrenet sportive që ne kemi, aq më pak të rinj me vese do të ketë në qytet. Angazhimi në sport, është prioriteti ynë.

  Kemi disa projekte jo vetëm në qytet, por edhe në zonat rurale, sa i përket pjesës së transportit, me qëllim që të rinj dhe fëmijë afrohen dhe të bëhen pjesë e skuadrave tona.

 Do të jetë një arritje nëse e bëjmë bashkinë gjithëpërfshirëse jo në qytet por edhe në zonat rurale”, tha Llatja.

 Shumë shpejt Bashkia Elbasan do të nisë investimet në dy palestrat e shkollës Luigj Gurakuqi ( Pedagogjike). Këtë vit, Bashkia Elbasan ka rritur edhe buxhetin për terrenet sportive prej 7 %, dhe sipas kreut të Bashkisë “ çdo vit do të vijojmë të kemi përmirësime dhe rritje të buxhetit. Ndaj ju ftoj të na nderoni!

Elbasani është një qytet që e do sportin, i do rezultatet dhe arritjet që i këmi bërë ne të gjithë bashkë dhe detyrimisht kur e do i gjithë qyteti absolutisht ne e kemi për detyrë të bëjmë punë të mira”, tha Z. Gledian Llatja.

 Drejtori i Sportit Artin Kovaçi, vlerësoi ekipet shumësportesh në Elbasan, duke e vënë theksin se ka kohë që sportet në qytet kanë nisur të ringrihen.