Publikohen datat e provimeve të Maturës Shtetërore

Ministria e Arsimit ka zbuluar këtë të martë datat e provimeve të maturës shtetërore për vitin 2022.

Datat e provimeve do të jenë 9 qershor për Gjuhën e Huaj,

11 qershor për Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë,

17 qershor për Matematikën dhe 24 qershor për lëndët me zgjedhje.

Testi i Maturës në total do të ketë 60 pikë, ku 20 pikë për pyetjet me alternativa dhe 40 pikë pyetjet me zhvillim. Për sa i përket nivelit të vështirësisë, 40 % të pikëve të testit do të jenë nivel i parë, 40% niveli i dytë dhe 20 % që do të bëjnë diferencën e maturantëve më të mirë të cilët duan të arrijnë rezultate maksimale.

Maturanti do të jetë kalues nëse merr minimumi 25 % të pikëve të testit. Vlerësimet e testeve do të bëhen brenda një kohe shumë të shkurtër për t’i dhënë mundësinë edhe maturantëve që duan të studiojnë jashtë të kenë diplomat në duar në ditët e para të korrikut.

Rregullorja e Maturës Shtetërore 2022, u bë publike nga vetë ministrja Evis Kushi gjatë një takimi me maturantë nga gjimnaze të ndryshme të vendit.

Të pranishëm në këtë prezantim ishin gjithashtu edhe zv/ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Nina Guga, Drejtoresha e Përgjithshme e Politikave, Znj. Zamira Gjini dhe drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, znj. Aurora Balliu.

Ministria e Arsimit do të zhvillojë gjithashtu një tur të gjerë takimesh në qytete të ndryshme të vendit për të informuar dhe konsultuar më mirë me maturantët dhe mësuesit.