Rama jep lajmin e mirë, shton administratën me 850 punonjës/ Pozicionet e reja dhe kushtet

Qeveria ka miratuar vendimin për planin vjetor të pranimit në administratë. Bazuar në vendimin e miratuar, numri i punonjësve që parashikohen të rekrutohen në disa kategori është 850 persona.

Rekrutimet do të bëhen nga niveli drejtues deri te specialisti i thjeshtë. Bazuar në vendim 230 punonjës do të pranohen vetëm në Kadastër si operatorë skanimi dhe dixhitalizimi të kartelave.

VENDIMI I PLOTE

PLANIN VJETOR TË PRANIMIT PËR VITIN 2022, NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE, PJESË TË SHËRBIMIT CIVIL

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Numri i vendeve vakante të planifikuara për rekrutim gjatë vitit 2022 është gjithsej 850 (tetëqind e pesëdhjetë), të ndara sipas kategorive të mëposhtme:

a) Për trupën e nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues 3;

b) Për kategorinë e mesme drejtuese 53;

c) Për kategorinë e ulët drejtuese 190;

ç) Për kategorinë ekzekutive 604.

Grupet e administrimit të përgjithshëm dhe të posaçëm në kategorinë ekzekutive janë, si më poshtë vijon:

– Shkenca juridike;

– Audit i brendshëm;

– Shkenca ekonomike;

– Shkenca ekonomike/juridike;

– Shkenca shoqërore;

– Shkenca sociale;

– Histori-filologji;

– Shkenca mjekësore;

– Veterinari;

– Agronomi;

– Shkenca biologjike dhe të ngjashme me to;

– Kimi;

– Shkenca mjedisore ose të tjera të përshtatshme;

– Shkenca inxhinierike;

– Arkitekturë;

– Arkeologji dhe restaurime;

– Artet e bukura;

– Gjeodezi;

– Shkenca ekzakte;

– Shkenca edukimi;

– Mësuesi;

– Arsim i lartë ushtarak/policor;

– Arsim i lartë.

Institucionet e administratës shtetërore, ku planifikohen vendet vakante gjatë vitit 2022, janë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

Ngarkohet Departamenti i Administratës Publike, në cilësinë e njësisë përgjegjëse, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.