Bashkia Cërrik në bashkëpunim me kryetaren e qendrës MEDPAK Znj.Klodiana Kavaja, organizuan në kinemanë e qytetit një koncert bamirësie për të ndihmuar financiarisht Aleksandro Mëhalla, 12 vjeçari i cili vuan nga leuçemia. Në këtë koncert bamirësie u bënë bashkë bashkia Cërrik, qytetarë e këngëtarë, të cilët dhanë kontributin e tyre për të ndihmuar sado pak Aleksandron e vogël.
Në këtë koncert ishin të ftuar këngëtarët e njohur të muzikës shqiptare si Aurela Gaçe, Ylli Baka, Irini Qirjako, Stine etj. Ata i uruan 12 vjeçarit shërim të shpejtë dhe të bindur se ai do ta mposhtë këtë sëmundje.
Edhe kryebashkiaku i Cërrikut Andis Salla falenderoi të gjithë artistët dhe bizneset si dhe qytetarët që iu bashkuan nismës së tyre, për t’i ardhur sado pak në ndihmë Aleksandros së vogël.
Në fund të koncertit doli në ankand edhe një pikturë, paratë e të cilës shkuan për ndihmë tek 12 vjeçari i sëmurë.