Mungesa e krahut të punës po penalizon fasoneritë, humbën kontrata të majme

Florian Zekja ka një fasoneri e cila aktualisht merret me veshjet njëpërdorimshe të covid drejt Italisë. Prej thuajse dy vitesh në kërkim të krahut të punës, ai thotë se po të gjente në këtë moment do të punësonte një duzinë njerëzish, por e ka të pamundur që ti gjejë.

Ai konfirmon se edhe biznese të tjera që ndodhen në të njëjtën ndërtesë me të kanë të njëjtin hall dhe vuajnë prej vitesh braktisjen e vendit dhe si pasojë mungesën e fuqisë punëtore. Vetëm nga 5 ndërmarrje që ndodhen në këtë godinë mund të punësoheshin deri në 300 persona.

 “Vetëm unë në këtë moment do të punësoja direkt 50 punonjës. Edhe ky biznesi që është sipër meje po ashtu do të punësonte 50 të tjerë. Ka edhe disa biznese që janë në katë të parë…mund të them që në total vetëm në këtë godinë do të mund të punësoheshin rreth 300 punonjës”, u shpreh Florion Zekja, sipërmarrës

Ai pohon se madje për shkak të mungesës së krahut të punës kanë humbur edhe kontrata të majme, të cilat nuk i kanë marrë dot përsipër.

“Ka pasur raste, kur na kanë pasur mundësi për të marrë përsipër kontrata të rëndësishme dhe nuk i kemi marrë dot se nuk kemi kapacitetet në fuqi punëtore”, u shpreh Florion Zekja, sipërmarrës.

Sipas tij nevojat janë të shumta dhe punëtorët e këtij tregu në Shqipëri nuk lëvizin nga një kompani tek tjetra, por e keqja është se ikin përfundimisht nga vendi dhe si pasojë ata nuk munden të krijojnë staf të kualifikuar.

“Punëtorët përgjithësisht nuk lëvizin nga një kompani tek tjetra por ikin jashtë vendit. Megjithëse janë të pakualifikuar dhe kanë pak mundësi të integrohen në vendet ku shkojnë”, u shpreh Florion Zekja, sipërmarrës.