Zbulohen të tjera detaje nga ngjarja e rëndë në fshatin Grecalli të Fierit, ku pak ditë më parë u vra në mënyrë barbare nga fqinji i tij, një fëmijë 8-vjeçar.
Mësohet se familjarët e djalit, përkatësisht nëna dhe dy të afërme të familjes i janë drejtuar mbrëmjen e djeshme policisë së Fierit ku kanë denoncuar duke hedhur akuza se një grua, e afërme e familjes, mund të ketë dijeni mbi ngjarjen dhe këtë e bazojnë në disa qëndrime të saj gjatë gjithë këtyre ditëve.
Mësohet se disa deklarata të dhëna nga autori i ngjarjes, Klodian Çalamani, përpara se të zbulohej trupi i pajetë i 8-vjeçarit, janë të njëjta me ato të gruas, e cila sipas burimeve, është e madhe në moshë dhe banon fare pranë shtëpisë së 8-vjeçarit dhe asaj të autorit të ngjarjes.
Sipas news24, ka qenë pikërisht i njëjti person ai që i ka thanë familjarëve të Mateos se një makinë kishte kaluar në rrugën pranë shtëpisë, e ndoshta mund të kishte lidhje me humbjen e Mateos, e njëjta deklaratë dhënë nga autori.
Gruaja për të cilën familjarët kanë dyshime pritet të merret në pyetje nga grupi i hetuesve për të hedhur dritë jo vetëm mbi ngjarjen, por edhe nëse ka pika kontakti me autorin e saj që mund ta përfshijnë.