Flet 17 vjeçari shqiptar, i vetmi i mbijetuar në aksidentin tragjik: “Dëgjova të bërtiturën e mamit”

Disa ditë më parë media greke përcolli pamjet e një aksidenti tragjik, ku humbën jetën tre shtetas shqiptarë. I vetmi i mbijetuar i përplasjes, ishte një 17 vjeçar, i cili humbi të gjithë familjen në aksident. Nëna, babai dhe e motra ndërruan jetë në rrugë, ndërsa makina e tyre u përplas me një automjet të tonazhit të rëndë.

Gjatë një emisioni televiziv grek, adoleshenti kujton të bërtiturat e nënës dhe të motrës. Ai shpjegoi se po vinin nga Shqipëria në Greqi (për një gëzim familjar), ndërsa prapa makinës së tyre ishte xhaxhai, personi që e nxorri nga makina e shkatërruar plotësisht pas aksidentit.

“Po vinim nga Shqipëria dhe fillimisht ndaluam në Meteora. Pastaj u futëm në një rrugë dhe babai po udhëtonte me 60-80 km/h. Unë po shihja nga dritarja e makinës dhe dëgjova një bori, dhe pastaj mamin dhe motrën të bërtisnin. Nuk pata kohë të kthej kokën pasi u përplasëm. Pas nesh vinte xhaxhi dhe ai më nxorri nga makina. Pash familjen time dhe mendova që ishin pa ndjenja dhe do të përmendeshin më vonë, por në spital me thanë që i kisha humbur ata.

Kam thyer dorën dhe këmbën dhe do të më duhen tre operacione që të rikthehem në gjendjen e mëparshme. Në momentin e përplasjes mendova se u goditëm nga një makinë, por kishte qenë kamion. Mbaj mend që makina jonë rrëshkiti pak para përplasjes.”-tregoi 17 vjeçari.