Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar një rregullore që cakton një nivel tavan për komisionet e ndërmjetësimit, që synon të pengojë abuzimet që bëhet me sigurimet e automjeteve. Rregullorja, që do të hyjë në fuqi në janar të vitit të ardhshëm, përfshin kufizimin e komisioneve të ndërmjetësimit që prek kontratat e sigurimit TPL, policat kufitare, si edhe Kartonin Jeshil.
“Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar në mbledhjen e datës 26.10.2021 rregulloren ‘Për komisionet e ndërmjetësimit’. Kjo rregullore është hartuar në zbatim të pikës 6, neni 7 i Ligjit nr. 32/2021, datë 16.03.2021 ‘Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, ku parashikohet se “Komisionet e ndërmjetësimit nuk mund të jenë më të larta se niveli i përcaktuar me rregullore nga Autoriteti”.
Komisionet e ndërmjetësimit janë pagesat që shoqëritë e sigurimit u japin agjentëve të tyre ose brokerave, për çdo shitje të një police (kontrate) sigurimi. Sipas përcaktimeve të nenit 4 të rregullores së miratuar nga AMF, ‘Shoqëritë e sigurimit të jo-jetës, nuk mund të aplikojnë në total komisione ndërmjetësimi, për çdo policë të shitur, më të lartë se 20% e primit të shkruar bruto, nga 1 janari i vitit 2022’. Kjo vlerë parashikohet të ulet më tej, duke nisur nga 1 janari 2023, duke zbritur në 18% të primit të shkruar bruto për çdo policë të sigurimit të detyrueshëm motorik”, shkruhet në dokument.
Kufizimi i komisioneve të ndërmjetësimit pritet të sjellë një administrim më të mirë të burimeve financiare të shoqërive të sigurimit.