Qeveria e kryeministrit britanik, Boris Johnson, ka bërë një kthim në politika duke e zgjatur afatin e skemës për viza emergjente për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës rreth mungesës së shoferëve, e cila ka ndikuar që shumë pompa të mbeten pa karburante.
Masat e reja të imigracionit do të mundësojnë që 300 shoferë cisternash të hyjnë menjëherë në këtë shtet dhe të qëndrojnë deri në fund të marsit të vitit të ardhshëm, ndërsa 100 shoferë ushtarakë do të angazhohen nga e hëna, njoftoi qeveria të premten në mbrëmje.
Rreth 4.700 shoferë të kamionëve për prodhime ushqimore do të arrijnë në fund të tetorit dhe do të largohen në fund të shkurtit, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express. Vendimi i ri i qeverisë përbën ndryshim të dalluar të politikave, pasi ministrat më parë kishin këmbëngulur se nuk do t’i lehtësojnë rregullat për imigrimin e të huajve si masë për ta zgjidhur krizën.
Përpos pompave të karburanteve, mungesa e rreth 100.000 shoferëve të mjeteve të rënda e ka prekur edhe sektorin e ushqimit dhe industritë tjera. Masat e reja i ka përkrahur edhe opozita. Shefi i opozitës britanike, kryetari i Partisë Laburiste, Keir Starmer, i ka bërë thirrje qeverisë që ta zgjasë afatin e vizave emergjente për gjashtë muaj, duke thënë se afati deri në Krishtlindje nuk është i mjaftueshëm.