Viti 2021 nis me më shumë shpresa për këdo. Shpresa për një punë më të mirë, për më shumë të ardhura, për rritje në detyrë, avancim në karrierë. Duket e vështirë në një ekonomi që po rritet shumë ngadalë (2021-a pritet të mbyllet me një zgjerim prej më pak se 5%), apo ku hyrjet e kompanive të huaja novatore mungojnë, por gjithsesi janë disa sektorë ku kërkesa për punonjës është e lartë dhe pagat e premtuara gjithashtu.
Por, mos prisni shumë, pasi kërkesat më të mëdha, ashtu si në 2221-n, pritet të jenë për profesione të tilla si punonjës krahu, Punonjës shërbimi apo Punonjës shitjesh në terren. Për punonjësit e krahut, paga maksimale është deri në 40 mijë lekë në muaj, për ata të shërbimeve deri në 70 mijë lekë, ndërsa më mirë shpërblehen agjentët e shitjeve në terren deri në 180 mijë lekë në muaj. Të dhënat për pagat janë nxjerrë nga EPPC Albania & Kosovo, kompania e rekrutimeve dhe trajnimeve.
Për ekonomistët, kontabilistët, marketingun, call center, programuesit, IT madje edhe për punët nga shtëpia, kërkesa nuk do mungojë, me paga që variojnë nga 45 mijë lekë/muaj (punë nga shtëpia), në 200 mijë lekë (programues me përvojë).
Edhe drejtues do kërkohen gjithnjë dhe ata janë më të privilegjuarit e paguarit, me kompensime mujore nga 150 mijë e deri në 450 mijë lekë.
Gjatë vitit 2021 kërkesat më të mëdha kanë qenë për 3 kategori kryesore:
Punonjës krahu – punonjës që punojnë nëndërtim, në projekte të mëdha infrastrukture si shtrirje tubacionesh, tunele, fasoneri, rrobaqepësi, etj.
Punonjës shërbimi – hoteleri, restorante, dyqane, shitje me pakicë, shërbim klienti, etj.
Punonjës shitjesh në terren – shitës biznes me biznes (B2B), në shitje të produkteve ushqimore, elektronike, farmaceutike, medikamenteve dentare, produkteve të sigurisë, shërbimeve financiare, etj.