Sipas drejtueses së Programit të Vaksinimeve në Institutin e Shëndetit Publik, Erida Nelaj, “studentët që kanë nga 1 deri në 3 muaj që kanë kaluar Covid-in mund të shkojnë në auditorë të pavaksinuar”. Ajo shtoi se këta studentë duhet të kenë me vete dokumentin përkatës që tregon se kanë qenë pozitivë në atë periudhë.
Nelaj tha gjithashtu se pas 3 muajsh, edhe këta studentë kanë mundësi të marrin vaksinën kundër Covid. “Studentët duhet të drejtohen tek Drejtoritë e Shëndetit Publik për të marrë një vërtetim që kanë kaluar Covid”, u shpreh ajo. Deri më tani, mbi 89% e personelit shëndetësor është vaksinuar. Mësuesit dhe pedagogët janë kryesisht tek dozat e dyta. Nga studentët, janë vaksinuar vetëm 24% e tyre nga mosha 18-30 vjeç.