Moderatorja dhe gazetarja e njohur, Sonila Meço ka vendosur që të shkëpusë marrëdhëniet me televizionin “Ora News”, ku drejtonte emisionin “Tempora”. Këtë lajm e ka konfirmuar vetë ajo teksa ka lënë të kuptohet se kjo nuk do të thotë që do të shkëputet nga ekrani, por nuk ka preferuar që të zbulojë se në cilin kanal do ta shohim së shpejti.
Ndërkohë burime ekskluzive për “IconStyle.al” kanë bërë të ditur se moderatorja e njohur do të jetë pjesë e një televizioni tjetër dhe do të na shoqërojë nga ekrani i “MCN TV”.
Shkrimi i plotë: “Kur i hyn më së pari gazetarisë, jetës publike dhe medias nuk mendon me gjithsej, por përqendrohesh tek fakti se ke mjetin, vëmendjen dhe aftësinë të ndikosh. Mandej do duhet të mësosh se t’i mbijetosh këtij profesioni për atë që e ke dashur qysh në krye do të thotë të rezistosh, duke e bërë atë që thua, tregon e pasqyron më të rëndësishme se imuniteti ndaj kritikës, presioni i numrave të audiencës, sulmi i pushteteve të çdo lloji, interesat financiare të momentit të pronarëve, hallet personale dhe grackat e influencës.
Në momentin që kupton këtë je gazetar i lirë, i lirë edhe për të ikur, për t’u rikthyer, për të zgjedhur ku të vijosh të tregosh histori, realitete, të analizosh e kontribuosh pa menduar logon. Sepse sot, në suferinën teknologjike, të gjithë mund të jenë potencialisht gazetarë.
Por në ndryshim nga fillesa, mjeti nuk është më vetëm televizioni, vëmendjen e merr edhe thjesht një vezë mbi tavolinë me 27 milion pëlqime, ndërsa ndikimi ende mbahet, ai është ende i mbrojtur nga raporti i drejtë dhe i vërtetë me publikun e publiken. Ndaj sot, me gjithë mirënjohjen për bashkëpunimin dhe mbështetjen e pronarit dhe drejtuesve për realizimin e Tempora-s në RTV Ora kam vendosur t’i jap fund prezencës sime në këtë logo televizive, ku kemi kaluar ditë të jashtëzakonshme e sfida të ethshme për të vijuar të bëj atë që kam bërë gjithmonë, gazetarí dhe media.
Duke rezistuar në dëshirën për të bërë një punë të paqme e jo thjesht një punë. Unë mbetem Sonila…siç kam dhënë prova vazhdimisht (edhe pse kam mësuar të jem ok edhe me ata/ato që kanë njohur a kanë dashur të shohin veç njërën anë të historisë në situatat kur shpesh më shumë se rrallë jam ndodhur jo për zgjedhjen time). Dhe si Sonilë do t’ju drejtohem gjithmonë, pavarësisht logove televizive. Shihemi së shpejti…”, ka shkruar ajo.