Në letrën e testamentit të Nexhmije Hoxhës që publikoi gazetari Xhevdet Shehu i gazetës DITA, vihet re fakti që në asnjë moment, Nexhmija nuk përmend djalin e saj Sokolin dhe nusen e tij Liljanën. Nexhmija quan si të vetët vetëm Ilirin e Pranverën pra djalin dhe vajzën, bashkë me pasardhësit e tyre duke mohuar kështu djalin Sokolin bashkë me fëmijët e tij.
Teksa nusen e Ilirit, Teutën e ngre në qiell, Liljanën, nusen e Sokolit, Nexhmija nuk e përmend fare.
“Ishit veçanërisht ju, ti Ilir me Teutën e fëmijët tuaj, edhe Pranvera me të sajët, që ma bëtë jetën të jetueshme, me përkujdesjet e veçanta dhe dashurinë e ngrohtë që më rrethuat në vetminë e madhe që më la Enveri. Prandaj e meritoni “bekimin e nënës”, shkruan Nexhmija.
“Unë uroj dhe shpresoj që të paktën fëmijët e Sokolit, që janë gjaku i Enverit dhe mbajnë emrin e tij, në t’ardhmen, pas nesh, ata vetë dhe fëmijët e tyre, që do të rriten në një klimë tjetër, ndoshta jo kaq të ngarkuar me konflikte politike, të ndjekin, bashkë me fëmijët tuaj e të Pranverës, në shembullin e tyre konsekuent, rrugën e drejtë në mbrojtje, brez pas brezi, të emrit, rolit e veprës së gjyshit të tyre, Enver Hoxhës”, shkruan më tej Nexhmija në letër.
Ndërkaq, mësohet se Sokoli nuk i ka shkuar në varrim të ëmës, Nexhmijes që vdiq në moshën 99-vjeçare.
Letra e plotë:
Të dashurit bijtë e mi, Ilir e Teuta,
Qofshi të gëzuar e paçi bekimin tim për gjithë jetën! Bekimi duket sikur është një atribut fetar, që jepet nga zoti ose një i shenjtë.
Jo! Unë nuk njoh zot.
Perëndia ime është ndërgjegjja, mirësia, dashuria, ndershmëria, e vërteta, bukuria te njeriu, shoqëria e natyra.
Unë s’jam e shenjtë, bekimi im është “bekimi i nënës”, bekimi më i sinqertë dhe i pastër, i dalë nga zemra me gjithë shpirt. Lum kush e fiton!
Ky “bekim” nuk është një pasuri në para e flori, në prona e të mira materiale, po është një pasuri e paçmueshme shpirtërore që njeriu e fiton me respekt, dashuri, mençuri e mirësjellje ndaj asaj që e ka sjellë në jetë dhe ndaj atyre që e kanë rritur e ndihmuar të bëhet “njeri”.
Të kesh bekimin e nënës dhe respektin e gjithë atyre që ke pasur përkrah në rrugën e jetës, të bën të jetosh i qetë, në paqe me ndërgjegjen tënde, i dashur dhe i lumtur në familje, i nderuar në shoqëri.
Ishit veçanërisht ju, ti Ilir me Teutën e fëmijët tuaj, edhe Pranvera me të sajët, që ma bëtë jetën të jetueshme, me përkujdesjet e veçanta dhe dashurinë e ngrohtë që më rrethuat në vetminë e madhe që më la Enveri. Prandaj e meritoni “bekimin e nënës”.
Ti, Ilir, u ndodhe e qëndrove i palëkundur në ballë të një lufte të egër hakmarrëse, përballove përndjekje të paimagjinueshme, akte barbare si ai i zhvarrimit të babait tënd, shpërnguljen me dhunë dhe degdisjen e familjes tënde në një skaj të Tiranës, në një banesë gjysmë të shkatërruar, pa drita e ujë.
Me shumë sakrifica ti, Ilir, bashkë me Teutën, më ndoqët me gjithë përkujdesjet e plotësimit të nevojave deri në burgun famëkeq të Tepelenës.
Mbrojtjen publike në shtyp të emrit e veprës së babait tënd, si edhe në gjyq, ti e pagove me burgim, të cilin e durove dhe e kreve si bir i denjë i Enverit.
Por ti munde të përballosh e të dalësh i nderuar nga kjo luftë e pamëshirshme e forcave reaksionare, revanshiste, antikomuniste e antikombëtare, sepse përkrah teje pate shoqen e jetës tënde, Teutën.
Nëqoftëse unë, kur dola nga burgu, gjeta një krevat për të fjetur, bibliotekën me veprat e Enverit si dhe 2-3 kolltukë ku të pres miqtë, këto i kam në sajë të kujdesit të Teutës.
Krahas punimeve për t’i bërë disi të banueshme ambientet që i dhanë Ilirit e Pranverës përtej Laprakës, që si për poshtërim ia vunë emrin “te pularia”, Teuta (edhe pasi u burgos Iliri) përballoi plotësimin e nevojave për fëmijët e saj, për Ilirin e mua në burg si edhe për Sanon, që u vendos në një garsonierë pranë, duke e ndihmuar me shërbime që kish nevojë mosha e saj, duke i bërë edhe 1 a 2 herë në ditë injeksionin e insulinës për diabetin që kish, siç ia kish bërë edhe te vila 6, gjatë mungesës sime, kur isha në burg.
Karakterin e saj të fortë, Teuta e tregoi veçanërisht gjatë arrestimit e burgimit të Ilirit.
Si për çdo grua shqiptare burgosja e burrit, e babait të fëmijëve, vajtja për takim në ato ambiente të frikshme, qenë strese jashtëzakonisht të rënda.
Të gjitha këto që përmenda vërtetojnë atë fjalën e urtë të popullit:
“Njeriu njihet në kohë të vështira”. Teuta e tregoi këtë.
Koha tregoi se ti, Ilir, kishe bërë një zgjedhje të mirë për shoqen e jetës.
Se gruaja mund të bëjë të lumtur, ajo mund edhe të ta nxijë jetën.
Një shembëlltyrë e tillë i ndodhi djalit tjetër tim, Sokolit, për fatkeqësinë e tij e të familjes sonë, u lidh me një grua jo vetëm të sëmurë nga nervat, por të sëmurë nga koka e të ligë nga shpirti.
Siç tregoi koha, ajo kish qenë mish i huaj që kur hyri në shtëpinë tonë, po që me ndryshimin e klimës politike në vend erdhi në dekompozim e degradimin e fundit politiko-moral.
Duke qenë në bùrg, askush s’më ka shkruar letra aq të poshtra sa ajo.
Nuk ia vlen të zgjatem me marrëzitë e saj…
Të gjitha këto më shkaktuan një dhimbje të thellë, por nuk e lashë veten të më mposhtë, se kisha detyrime të tjera, politike e njerëzore, të mbroja publikisht Enverin nga fushata e ndyrë e antikomunistëve, ballistëve e gjithë skota e bashkëpunëtorëve me nazi-fashistët, që s’kanë pushuar së përbalturi emrin e figurën e Enver Hoxhës dhe nuk do të pushojnë të shtrembërojnë historinë 50 vjeçare të pushtetit popullor e të shoqërisë socialiste, nën udhëheqjen e tij.
Dhimbja e keqardhja për këtë lloj qëndrimi është e madhe, por në ndërgjegjen time kam qenë e jam e qetë, se në asnjë kohë, si në fëmini, në rini e më vonë, Sokolin e kam dashur njëlloj si Ilirin dhe Pranverën, është absurde ta mendosh e ta thuash, përse mund ta paskam dashur më pak (!!!), përse “unë s’paskam qenë kurrë nënë për të (!!!).
Përkundrazi jam kujdesur e i kam qëndruar më afër, sepse më vinte keq, se kish gruan me shëndet të dobët (kështu gjykonim atëherë kur kjo “nuse” nusëronte urtë e butë, duke buzëqeshur ose kur me “dobësitë” e saj të papritura na bënte t’i venim rreth shtratit a ta dërgonim në Paris).
Për lidhjet afektive, normale me Sokolin, si nënë e bir, madje dhe me të shoqen, flet dhe Ditari im shumëvjeçar si dhe korrespondenca jonë me dhjetëra e dhjetëra letra.
Por unë nuk u lëshova edhe pse pata mbështetjen e ngrohtësinë e Ilirit e Pranverës, Teutës e Klemit si dhe të fëmijëve të tyre, po ashtu dhe të shumë shokëve e shoqeve, miqve e dashamirësve të familjes së Enverit.
Duke qenë ende në burg, Klemi më tha:
“Ti ke në dispozicion shtëpinë tonë që na kanë dhënë nga Lapraka, do të jesh pranë Ilirit, deri sa të rregullohemi të vijmë edhe ne”.
Klemi dhe Pranvera, për veten e tyre, me vite jetuan si mos më keq nëpër shtëpitë e njerëzve të tyre bujarë, duke fjetur në divane e krevatë portativë.
Po për shërbimet, ndihmat e përkujdesjet e Klemit e Pranverës, nuk po zgjatem në këtë letër, që po e shkruaj më shumë për ju të dy, Ilir e Teuta.
Të dashur Ilir e Teuta,
Desha t’ju shpreh mirënjohjen time për dashurinë e përkujdesjet që keni treguar ju të dy ndaj meje, por padashur vajti “gjuha te dhëmbi i dhëmbur e i krimbur”, megjithëse ky kapitull për mua e për ju është i mbyllur.
Unë uroj dhe shpresoj që të paktën fëmijët e Sokolit, që janë gjaku i Enverit dhe mbajnë emrin e tij, në t’ardhmen, pas nesh, ata vetë dhe fëmijët e tyre, që do të rriten në një klimë tjetër, ndoshta jo kaq të ngarkuar me konflikte politike, të ndjekin, bashkë me fëmijët tuaj e të Pranverës, në shembullin e tyre konsekuent, rrugën e drejtë në mbrojtje, brez pas brezi, të emrit, rolit e veprës së gjyshit të tyre, Enver Hoxhës.
Po e mbyll këtë letër edhe një herë me urimin:
Rrofshi e qofshi të gëzuar bashkë me fëmijët tuaj! Paçi bekimin tim për gjithë jetën!
Ju përqafoj me dashuri mëma juaj, Nexhmije