Nëse mbërritja e variantit Delta në vendin tonë konfirmohet, situata epidemiologjike e koronavirusit të ri do të rivlerësohet. Lajmi bëhet i ditur nga zëvendësministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini , sipas së cilës çdo element përkundrejt masave shtrënguese do të varet nga situata epidemiologjike, dhe nga ecuria e rasteve në vijim.
“Konfirmimi i sinjaleve të dyshimeve përkundrejt të dhënave laboratorike, pas konfirmimit nga Berlini do të japë një qasje ndryshe, përkundrejt qarkullimit të Deltës. Në kuptimin që do të përforcohen akoma më shumë masat e distancimit fizik, elementët e higjinës personale, vendosjes së maskës në ambjente të brendshme. Deri në këto momente Shqipëria ka përvijuar me masa të karakterit të moderuar, që nuk kanë qenë drastike.
Sigurisht, evidentimi i agresivitetit, i transmetueshmërisë, numrit të rasteve, të dhënave epidemiologjike, numrit të rasteve që do të hospitalizohen, pozitivitetit në 24 orë, do të rivlerësohen më pas me qarkullimin e variantit Delta. Ashtu sikundër ne vlerësuam variantin britanik, ku bëmë ato tranzitet ajrore me Britaninë e Madhe. Çdo element përkundrejt masave shtrënguese varet nga situata epidemiologjike, ecuria e rasteve në vijim por dhe konfirmimit nga Berlini.”, u shpreh Tomini.