Një pjesë e territorit të Shqipërisë gjatë natës është goditur nga fenomeni i ashtuquajtur “liqeni i ftohtë”, i cili shkaktoi përmbytjet vdekjeprurëse në Gjermani dhe Belgjikë dhe u drejtua për në Ballkan. Mbi territorin tonë nata u karakterizua nga një mot me reshje shiu, por pa shkaktuar probleme.
Megjithatë sipas “MeteoAlb” Republika e Shqipërisë gjatë ditës së sotme do të karakterizohet nga kthjellime dhe vranësira të herë pas herëshme gjatë paradites. Por mesdita dhe kryesisht pasditja do të sjellin shpeshtim të vranësirave, të cilat do të gjenerojnë rrebeshe shiu në pjesën më të madhe të vendit tonë. Nuk do të mungojnë edhe stuhitë afatshkurtra e të izoluara të breshrit. Orët e mbrëmjes përmirësojnë përkohësisht kushtet e motit në vendin tonë.
Temperaturat e ajrit mbeten konstante në vlerat minimale por ulen me 3 gradë në vlerat maksimale duke u luhatur nga 14°C mëngjesi deri në 32°C mesdita. Era do fryjë mestare me shpejtësi deri 35 km/h, nga drejtimi Verior-Verilindor ndërsa në det të hapur krijohet dallgëzim deri 3 ballë.