Policia gjermane ende është në kërkim të 28-vjeçares Jasmin Gundogan nga Bremeni e cila është zhdukur me 8 milionë euro të vjedhura nga një kompani për sigurinë e transportit, ku ajo punonte. Forcat e rendit publikuan së fundi një foto të vajzës dhe mediat vendase i kanë hyrë me vrull hulumtimeve mbi jetën e hajdutes misterioze.
Një prej shokëve të vet të klasës tha për Bild, se që kur ishte fëmijë, Jasmine donte të ishte e pasur dhe e bukur: “Ne të gjithë mendonim se ajo nuk ishte dhe aq e zgjuar”, u shpreh ai.
Por duket se Jasmina qe mjaftueshëm e tillë, aq sa për të kryer njërën prej grabitjeve më spektakolare në Gjermani. Jasmin kishte gjetur punë në kompaninë e sigurimit për transportimin e parave, falë ndihmës së babait. Në këtë firmë, 28-vjeçarja ishte përgjegjëse për paketimin dhe transportimin e parave, por në 21 maj ajo vodhi një kontejner me disa thasë të mbushura me para dhe më pas mori pushim për arsye mjekësore.
Zhdukja e parave u zbulua vetëm katër ditë më vonë. Hetimet e deritanishme tregojnë se vajza e kishte futur kontejneri me numër 06414 në një makinë tip “Mercedes” të zi me targa të vjedhura. Dyshohet se vajza me origjinë turke, mund të jetë larguar pikërisht drejt Turqisë.