Dy shtete të tjera, Austria dhe Holanda, u kanë hapur dyert shqiptarëve duke hequr të gjitha barrierat e udhëtimeve, madje edhe testin e vaksinimin. Nga sot, për të udhëtuar drejt këtyre vendeve mjafton një pasaportë biometrike dhe maska gjatë udhëtimit. Me këto të fundit, deri më tani shkon në shtatë lista e vendeve ku shqiptarët mund të udhëtojnë lirshëm, pa pasur nevojë të arsyetojnë rrugëtimin. Pas rekomandimit të Bashkimit Europian të premten e kalu- ar, një listë vendesh, si Greqia, Franca, Spanja, Hungaria e Gjermania dhanë të parat “OK” për udhëtimet pa kufizime.
AUSTRIA Ata që kanë planifikuar udhëtimet në Austri, nga sot janë të lirë të presin biletën. Ky vend është i pari në BE që ka hequr kufizimet për vendin tonë pa vendosur asnjë kriter të detyrueshëm për kalimin, qoftë një test negativ, vaksinim apo formular PFL si në rastin e Greqisë. E vetmja gjë që kërkohet është një maskë specifike për udhëtime. “Austria heq të gjitha kufizimet për pasagjerët me pasaporta biometrike që udhëtojnë duke filluar nga data 24 qershor.
Asnjë kriter testi, asnjë kriter vaksine. Vizat për rastet e aplikueshme vazhdojnë si më parë. Iu lutemi qytetarëve që udhëtojnë në Austri të vendosin maskën FFP2, si në foto. Kompania ‘Austrian Airlines’ që operon në Austri e ka të detyrueshme vetëm këtë tip maske, që e gjeni në farmaci. Ata pasagjerë që janë tranzit në Austri, iu lutemi të kontrollojnë rregullat e udhëtimit Covid-19 që ka destinacioni final i mbërritjes”, nënvizohet në njoftimin e “Tirana International Airport”.
HOLANDA Ambasada shqiptare në Hagë ishte ajo që dha lajmin e mirë për regjimin e lëvizjeve të shqiptarëve drejt Holandës, i cili ndryshon duke nisur nga sot, 24 qershor. Një vendim i tillë, sipas Ambasadës, vjen pas përmirësimit të ndjeshëm të situatës në vend. “Bazuar në vlerësimin e qeverisë holandeze mbi nivelin e ulët të infektimeve të Shqipërisë, Holanda vendos të lejojë përsëri lëvizjen e lirë të të gjitha kategorive të shtetasve shqiptarë drejt territorit të saj që prej datës 24 qershor e në vijim”. Me rikthimin e lëvizjes së lirë pa kushte përfitojnë të gjithë shqiptarët, jo vetëm ata që jetojnë në një nga vendet e Bashkimit Europian apo për arsye specifike.
Holanda është në listën e shteteve “Covid free”, ku mbetet e hapur për udhëtime turistike. Por ndryshe nga pesë të parat, që vendosën disa kritere për të depërtuar, kjo e fundit nuk ka asnjë parakusht për të udhëtuar drejt saj. As tampon negativ e as certifikatë vaksinimi. “Të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë drejt Holandës nuk kanë detyrimin të paraqes- in testin PCR apo antigjen në destinacion. Gjithashtu, nuk është e detyrueshme karantina për udhëtarët të cilët udhëtojnë nga RSH në Holandë, pasi konsiderohet vend me rrezikshmëri të ulët infektimesh”, nënvizohet në njoftimin e Ambasadës. Gjithsesi nuk përjashtohet mundësia që kompanitë ajrore të vendosin kushte për fluturimet. Bëhet fjalë për plotësime formularësh apo kritere të veçanta për pasagjerët në momentin e udhëtimit.
Eunews.al