Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, në një intervistë të fundit për Euronews, tha se pas fushatës dhe procesit zgjedhor, situata është nën kontroll dhe në nivele të ulëta të infektimit, ndryshe nga muajt e kaluar të pandemisë. Brataj shtoi se ka një tendencë të vogël rritjeje, por duhet parë nga mesi i muajit maj, nëse grumbullimet gjatë fushatës do të sjellin shtim të rasteve me të infektuar.
“Sidoqoftë, është një rritje shumë e ulët, nuk mund të krahasohet me atë të dy javëve të kaluara, por jemi akoma në betejë me COVID-19 dhe nuk duhet të ulim vigjilencën”.
Brataj u pyet edhe për një mutacion të ri të dyfishtë të Covid-it, që po merr përmasa të jashtëzakonshme në Indi, ndonëse nuk ka prova të mjaftueshme që tregojnë se është më i transmetueshëm dhe më i rrezikshëm.
Siç tha kreu i Urgjencës, aktualisht nuk ka prani të një mutacioni të tillë në Shqipëri, dhe se kjo do të konfirmohej vetëm nëse do kishim një rritje të papritur me të infektuar: “Varianti indian nuk duhet as të neglizhohet, por as të bëhet alarmant”.
“Vërtet është një variant i ri me dy mutacione, por deri tani nuk ka studime që të tregojnë veçanti të këtij virusi sa u përket formave të rënda apo shtrimeve në spitale. Maskat, distancimi social dhe higjiena vetjake do të jenë në fuqi, derisa të vlerësohet se pandemia ka marrë fund. Kemi qytetarë që janë imunizuar, pasi kanë kaluar sëmundjen, dhe procesi i vaksinimit po ecën me ritme të kënaqshme. Kapacitetet spitalore janë në minimumet e tyre dhe situata është nën kontroll”.