Kontrollorja në aeroportin e Rinasit Flora Ndreca, një nga personat e parë që firmosën formularin për paaftësinë e përkohshme për shkak se ishte e stresuar.Ajo u pyet në emisionin “Opinion” se sa mund t’u zgjasë stresi kontrollorëve, teksa u shpreh se me këto që po ndodhin gjatë ditës së sotme, stresi vetëm po rritet.
Ndreca ka treguar edhe mesazhin që i ka ardhur nga banka, ku tregon se i janë derdhur në llogari 1 milion e 560 mijë lekë, dhe jo 2490 dollarë siç u pretendua nga kryeministri Rama dhe ministrja Balluku.
Flora Ndreca: Unë jam trajnuar në Akademinë e Aviacionit në Angli. Greva për ne është e ndaluar, po bëjmë paaftësi të përkohëshme, pasi jemi të stresuar.
Blendi Fevziu: Sa mund t’ju zgjasi stresi?
Flora Ndreca: Në këto momente, neve stresi po na shtohet. Unë i bëj thirrjet opinionit publik, ne nuk jemi të politizuar. Dje, 5 nga stafi ynë ishim të stresuar dhe pa gjumë, nuk u ndjemë mirë dhe vendosëm që të plotësonim formularin që ishim të paaftë të punonim përkohësisht. Ne nisemi për në shtëpi dhe marrim një telefonatë ku na thonë “kthehuni”. Ne kthehemi dhe përballemi me zgjidhjen e kontratës së punës. Personalisht refuzova ta firmos pasi nuk mu dha një arsye.
Mua sot më ka kaluar rroga dhe është 1 milion e 560 mijë lekë, nuk është ajo që thuhet.