Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Wake Up, ku ka qenë në përballje me moderatoren Ori Nebiaj, e cila është njëkohësish dhe kandidate për deputete në listën e PD. Gjatë intervistës nuk ka munguar tensioni që ndihej në ajër mes Nebiajt dhe Ramës, ndërsa kryeministri foli se pse ka zgjedhur që në këtë fushatë të merret me kundërshtarin dhe të mos bëjë një bilanc të punëve të tij.
“Të gjithëve mund t’iu them me plot gojën se si dhe ku ka ndryshuar situata në raport me 7 vite më parë”, u shpreh Rama. I pyetur nëse e mendon për një moment si opsion se do të humbë në zgjedhjet e 25 Prillit, Rama u përgjigj: “Unë asnjëherë nuk hyj në një ndeshje duke menduar humbjen.
Në gjithë botën zgjedhjet janë njësoj, që të fitojë njëri duhet të humbë një tjetër. Unë nuk kam asnjë frikë nga një votë kundër që vjen në formën e një uragani. Me 25 prill PS do fitojë. Ne do të kemi një rezultat më të mirë se në 2017-n”.
Teksa Nebiaj e pyeti në lidhje me deklaratën e tij për të sjellë punëtorë nga Bangladeshi, Rama u shpreh: Punëtorët nga Bangladeshi nuk i kam kërkuar unë, por zotëria që ishte aty. Nuk i kam përmendur unë punëtorët nga Bangladeshi, nuk e kam thënë unë që shqiptarët janë dembelë. Ajo që unë kam thënë dhe përsëris është që shqiptarët janë punëtorët më të mëdhenj edhe kur lajnë pjata jashtë, ndërsa këtu kanë prirjen që të kërkojnë punë në shtet.