Brataj publikon të dhënat e studimit të ri: Çfarë ndodh pas shërimit nga COVID-19

Kreu i Urgjencës, Skënder Brataj ka publikuar të dhënat e një studimi, ku thuhet se sistemi imunitar siguron një mbrojtje afatgjatë pas shërimit nga COVID-19. “Ndërsa numri i njerëzve që kanë kaluar SARS-CoV-2 rritet, është shumë e rëndësishme të dimë: sa do të zgjasë imuniteti i tyre ndaj koronavirusit të ri? Një studim i ri i Rockefeller University ka një përgjigje inkurajuese, se ata që shërohen nga COVID-19 mbrohen nga virusi për të paktën gjashtë muaj, dhe me gjasë shumë më gjatë”, thotë kreu i Urgjencës përmes faqes zyrtare.

Brataj ka sjellë rezultatet e një publikimi shkencore të “Rockefeller University” të ditëve të fundit, të cilat thotë se ata që shërohen nga COVID-19, mbrohen nga virusi për të paktën gjashtë muaj dhe  me gjasë  shumë më gjatë.

Brataj shkruan se antitrupat e prodhuar muaj pas infektimit, kanë një aftësi të shtuar për të bllokuar virusin dhe mutacionet e tij siç është varianti i Afrikës së Jugut. “Publikimet e botuara në revistën Nature, tregojnë se ka prova të forta, se sistemi imunitar “kujton dhe njeh” virusin, po ashtu vazhdon të përmirësojë cilësinë e antitrupave edhe pasi infeksioni ka kaluar. Antitrupat e prodhuar muaj pas infektimit treguan një aftësi të shtuar për të bllokuar SARS-CoV-2 dhe mutacionet e tij siç është varianti i Afrikës së Jugut. Antitrupat, që trupi krijon në përgjigje të infeksionit, vazhdojnë në plazmën e gjakut për disa javë ose muaj, por nivelet e tyre bien ndjeshëm me kalimin e kohës. Sistemi imunitar ka një mënyrë më efikase për të trajtuar patogjenët(viruset): në vend që të bëjë antitrupa gjatë gjithë kohës, krijon memorie(kujtesë) të qelizave B që njohin patogjenin dhe mund të lëshojnë shpejt një raund të ri antitrupash kur e hasin për herë të dytë”, shton Brataj.