Policia e Fierit ka gjobitur me 700 mijë lekë një qytetar me iniciale B.D, pasi ishte infektuar me COVID dhe doli nga shtëpia duke shkelur karantinimin. Policia ka shkuar në banesën e 35-vjeçarit dhe ka konstatuar se ai nuk ndodhej në shtëpi. Policia njofton se ndaj tij ka nisur hetimi për veprën penale
“Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë”. “Theu karantinën duke dalë nga shtëpia, procedohet penalisht nga Policia një shtetas, për veprën penale “Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë”.
Në vijim të kontrolleve të herëpashershme në banesat e të prekurve nga COVID-19, me qëllim kontrollin për respektimin me rigorozitet të vetëkarantinimit, për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19, ditën e djeshme, specialistët për Hetimin e Kŗimeve në Komisariatin e Policisë Fier, proceduan penalisht shtetasin B. D., 35 vjeç, banues në Fier, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia nuk u gjend në banesën e tij, ndërkohë që rezulton i infektuar me Sars-Cov-2.
Gjithashtu, këtij shtetasi i është vendosur edhe masa administrative në vlerën 700.000 lekë. Policia e Fierit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë distancimin social, lokalet dhe bizneset të respektojnë protokollet e sigurisë, të prekurit nga COVID-19 të respektojnë detyrimisht vetëkarantinimin, duke bërë të mundur që të gjithë bashkë të kontribuojmë në parandalimin e përhapjes së COVID-19″, njofton policia.