Deputeti Andi Përmeti ka bërë me dije disa detaje pasi fitoi betejën me Covid-19. Për Abc tha se i ishin dashur plot 71 ditë që të luftojë koronavirusin dhe të rikuperohet. Ai u shpreh se gjendja e tij është përkeqësuar , ndonëse nuk ka pirë asnjëherë duhan dhe nuk ka pasur sëmundje të tjera bashkëshoqëruese.
Kam qenë në qershor i prekur me COVID. Ky është infektimi i dytë. Hera e parë ka qenë në shtëpi dhe me rekomandimin e mjekëve. Herën e dytë kanë qenë 71 ditë. 21 ditë kam qëndruar vetëm në reanimacion. Nuk jam as duhanpirës. Nuk kam pirë asnjëherë duhan. Nuk kam as sëmundje bashkëshoqëruese. Kam qenë me 90% mushkëri të bllokuara. Kur dola nga reanimacioni u negativizova. Por duhet të qëndroja akoma pasi kisha nevojë për trajtim për rikuperimin e mushkërive. Në reanimacion nuk lejohej njeri tjetër përveç bashkëshortes time.
Më tej, Përmeti theksoi se gjendjen e tij të rëndë e mësoi kur sapo ishte duke dalë nga spitali
Bashkëshortja më ka thënë disa gënjeshtra të bardha. Më ka thënë që kam 40% të mushkërive të prekura dhe kjo më ka ndihmuar moralisht. Kam qenë gjithë kohën i vetëdijshëm. Madje ditët e para kam qëndruar 24 orë pa gjumë. Qoftë për shkak të ankthit. Vetëm zhurma e pajisjes është një tmerr më vete. Me fatin e mirë që gjendjen time të rëndë e mësova kur isha duke dalë nga spitali. Unë nuk i besoj teoritë konspirative. Më e rëndësishme në jetë është shëndeti. Unë jam ndjerë mirë pasi u bëra mirë dhe mora telefonin në dorë se shumë njerëz ishin interesuar për mua. Kjo më bëri të ndihem mirë.