Nga dita e hënë nis shpërndarja e bonusit për pensionistët të akorduara nga qeveria me rastin e festave. Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado shpjegoi kategoritë që përfitojnë shpërblimin prej 5 mijë lekë të reja si dhe procedurën që do të ndiqet. Nga ky bonus që qeveria shqiptare ka vendosur t’iu dhurojë pensionistëve shqiptarë përfitojnë të gjithë kategoritë e pensioneve dhe bëhet fjalë për rreth 677 mijë qytetarë.
Të gjithë ata që përfitojnë pension pleqërie, pension familjar, pension invaliditeti, trajtime të veçanta, minatorë që kanë dalë në pension sipas ligjit 150, naftëtarë, metalurgë, ish-u sht arakët etj, të gjithë këto kategori do të trajtohen me 5 mijë lekë të reja për festat e fundvitit. Fondi që është akorduar nga qeveria është 3.4 miliard lekë të reja ose 34 milion dollarë, u shpreh Hado.
“Bonusi nuk është një detyrim që rrjedh nga ligji për sigurimet shoqërore, është vullnet politik i qeverisë për të dhuruar ose për t’ua bërë festat më të gezueshme pensionistëve. Ministrja e Financave, zonja Denaj në bashkëpunim me qeverinë siguruan fondet nga buxheti i shtetit dhe është e sigurt që javën tjetër, posta shqiptare dhe banka do të fillojë shpërndarjen’’, tha Hado.
Ai sqaroi se pensionistët që ende nuk kanë marrë pensionin mujor, do ta marrin së bashku me shpërblimin në datën që e kanë të përcaktuar ndërsa ata qytetarë që e kanë tërhequr pensionin, bonusin do të mund ta tërheqin nga pasditja, në bazë të një kalendari të përcaktuar për të shmangur edhe grumbullimet.
“Ajo që po bëjmë sot dhe nesër, jemi duke përgatitur të gjithë infrastrukturën e nevojshme për pagimin e këtij bonusi. Ne kemi vite që çdo lloj pagese e bëjmë nëpërmjet sistemit informatik që ka ISSH. Ne i gjenerojmë këto pensione dhe bonuse, të gjitha llojet e përfitimeve që ofron ISSH, ne i gjenerojmë me sistemin informatik dhe këto ia transmetojmë elektronikisht Postës Shqiptare. Ky është një procedurë që jemi duke e bërë këtë fundjavë”, u shpreh Hado.
“Do të gjenerojmë 677 mijë llogari. Posta është furnizuar me mjetet e nevojshme financiare të akorduara nga qeveria. Sigurisht që posta në bashkëpunim me ne do të bëjë një grafik të shpërndarjes që do bëhet publik. Kjo do të thotë, të gjithë ata qytetarë që kanë datën e marrjes së pensionit nga e hëna në vazhdim, do të marrin përveç pensionit edhe bonusin dhe pasdite, përgjithsisht e kemi bërë nga ora 12-1 vitet e tjera, shkojnë dhe marrin bonusin ata persona që kanë marrë pensionin në datat 1, 2, 3, me qëllim që të gjithë të kenë mundësi ta marrin. Sigurisht që vështirësia këtë radhë është më e madhe se duhen respektuar masat anticovid. Në fakt edhe posta shqiptare ka rritur ndjeshëm numrin e pensioneve që i shpërndan në shtëpi. Pra, ka shtuar numrin e postierëve që shkojnë dhe u dërgojnë pensionet në shtëpi, të njëjtën gjë do të bëjë edhe për bonusin. Sigurisht që kjo do të behët pa vonesë”, theksoi Hado.
Sipas tij, ndarja e shpërblimit do të ndjekë rrugën normale që posta dhe banka ndjekin për shpërndarjen e pensionit.
“Diferenca është për ata të cilët e kanë marrë deri tani. Për ata do të vendoset një grafik tjetër. Ata që janë në bankë, u kalon automatikisht në datën 20 dhe xhirohen në 21. Pensionit e fshatit shpërndahen pas datës 20, që do të thotë që edhe fshati që janë gati 170 mijë pensione që paguhen në fshat edhe këto do ta marrin së bashku me këstin mujor. Një pjesë do ta marrin këto 10 ditët e fundit dhe ata që kanë marrë pensionin, shpërblimin do ta marrin pasdite në bazë të një kalendari ose do t’ua çojë postieri në varësi të mënyrës që ata kanë zgjedhur. Në fillim të javës tjetër fillon shpërndarja. Ajo që është e rëndësishme, ministria e Financave dhe qeveria shqiptare i ka akorduar ISSH lekët”, përfundoi Hado.