Karantinë e pjesshme apo totale? Komiteti i Ekspertëve propozon një orar të ri për mbylljen

Vetëm një ditë më parë, Komiteti i Ekspertëve raportoi se zona e ish-Bllokut në kryeqytet është një ndër vatrat më të nxehta sa i përket përhapjes së infeksionit Covid-19. Për këtë arsye, Task Forca ka lajmëruar se nëse shifrat vazhdojnë të rriten, atëherë do të shtohen masat kufizuese në disa zona në kryeqytet, një prej të cilave edhe ish-Blloku.

Në një intervistë për Tv Klan, anëtarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve për COVID-19, Eugena Tomini, shpjegon se, përveç Bllokut, ku mendohet mbyllja e bareve pas orës 22:00, do të ketë edhe zona të tjera në Tiranë, në të cilat masat do të shtrëngohen.

“Shtimi i pozitivitetit, numri i rritur i pacienteve në spitale dhe rastet e rënda të hospitalizuara dhe raste humbje jetesh, dhe me këtë nivel pozitiviteti dhe transmetueshmërie komunitare bëri që Komiteti Teknik të vlerësojë për masat e tjera. Po vëzhgojmë elementet ku kemi grumbullime masive, rini ku grumbullohen më shumë që, edhe pse e kalojnë lehtë, janë transmetues të gjeneratave” – tha Tomini.

Por ish-Blloku nuk është e vetmja ku masat nuk respektohen. Sipas Eugena Tominit, nuk përjashtohet shtrirja e masave kufizuese edhe në pjesë të tjera të Tiranës  për të mos shkuar në karantinë totale apo edhe gjeografike, edhe pse masë nuk përjashtohet. “Rikthimi i karantinës gjeografike apo totale… po vlerësohen të gjitha opsionet me mbyllje oraresh. Do jetë opsioni i fundit që do ndërmerret”.

Ndërkohë përhapja e koronavirusit po bëhet nga çdo grupmoshë, më pak nga ajo 5-14 vjeç. “Shpërndarje në të gjitha grupmoshat, por kemi një pozitivitet që shkon nga 25% -30% tek grupmosha aktive. Pozitivet me të lartë mbi 50 vjeç. Dhe shenja klinike të rënda mbi 70 vjeç”

Pas vendimit të komitetit të ekspertëve për COVID-19 për të mos rikthyer studentët në auditore, por mësimi të zhvillohet online, burime për Tv Klan bën me dije se përveç kufizimit të orarit të aktivitetit pas orës 22:00, një tjetër opsion mbetet edhe kufizimi i aktivitetit të bareve pas orës 20:00.