Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i infektuar me koronavirus, deklaroi nga Shtëpia e Bardhë të martën se ka në plan të marrë pjesë në debatin e dytë me rivalin e tij demokrat, Joe Biden. “Unë mezi e pres debatin mbrëmjen e së enjtes më 15 tetor në Miami. Do të jetë i mrekullueshëm!” tha presidenti në Twitter.
Trump rezultoi për herë të parë pozitiv për COVID-19 të enjten e kaluar dhe u shtrua në spital për 72 orë midis mbrëmjes së së premtes dhe të hënës.
Bazuar në këto detaje për fazat e infektimit, pjesëmarrja e tij në debat, gjatë së cilës kandidatët do t’u përgjigjen pyetjeve të votuesve, mund të përbëjë rrezik për shëndetin publik, bazuar në udhëzimet nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), e cila konsideron se dikush i infektuar me virusin mund ta transmetojë atë për 10 deri në 20 ditë nga fillimi i simptomave.
Komisioni për Debatet Presidenciale, grupi jofitimprurës që organizon debatet nuk ka komentuar ende për këtë çështje. Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë të hënën në mbrëmje. Mjeku i tij personal, Dr. Sean Conley, tha në një deklaratë të martën se presidenti kishte kaluar një “natë të parë të qetë në shtëpi dhe sot, ai nuk ka raportuar asnjë simptomë”.
Të hënën në mëngjes në mediat sociale, Trump shkroi se koronavirusi në shumicën e popullsisë është “shumë më pak vďekjeprurës” sesa gripi sezonal. Facebook-u e fshiu mesazhin. “Ne heqim informacione të pasakta në lidhje me ashpërsinë e COVID-19 dhe e kemi hequr këtë postim,” tha Andy Stone, një zëdhënës i Facebook.
Twitter kufizoi postimin e zotit Trump, duke e shoqëruar me një shënim paralajmërues që vuri në dukje se ai shkelte rregullat e medias sociale “për përhapjen e informacionit të pasaktë dhe potencialisht të dëmshëm në lidhje me COVID-19”.
Trump u bëri thirrje amerikanëve të mos “kishin frikë” nga COVID-19 pasi ai u kthye në Shtëpinë e Bardhë. Me të mbërritur në Shtëpinë e Bardhë, ai u ngjit në shkallët ballore dhe qëndroi për më shumë se një minutë në ballkon, ku hoqi maskën, përshëndeti largimin e helikopterit presidencial dhe e pa e vënë maskën, hyri në Shtëpinë e Bardhë.
Më herët, ndërsa dilte nga Spitali Ushtarak Kombëtar Walter Reed, Presidenti Trump tha “Faleminderit shumë, të gjithëve”. Kur doli nga helikopteri dhe po ecte drejt rezidencës së Shtëpisë së Bardhë, presidenti ndaloi duke u kthyer tek kamerat, dhe përshëndeti. I pyetur nga Zëri i Amerikës se si ndihej, ai u dëgjua të përgjigjej “vërtet mirë”.
Më pas në mbrëmje, ai postoi në Twitter një mesazh të regjistruar për COVID-19, ku shprehej “Mos e lejoni t’ju kontrollojë. Mos kini frikë prej tij”. “Ne po rikthehemi, do të kthehemi në punë. Ne do të jemi përpara,” tha ai. “Mos e lejoni t’ju kontrollojë jetën. Dilni por kini kujdes”, shtoi ai.
Fushata për rizgjedhjen e zotit Trump tha se presidenti republikan, që është pas rivalit të tij Joe Biden në sondazhe, planifikon të marrë pjesë në debatin e dytë të 15 tetorit me kandidatin demokrat dhe e konfirmoi një gjë të tillë në Twitter.
“Megjithëse nuk është krejtësisht jashtë rrezikut, unë dhe ekipi mjekësor jemi të mendimit se analiza e gjendjes së tij të përgjithshme, mbështesin kthimin e tij” në Shtëpinë e Bardhë, ku një ekip mjekësor dhe pajisje të sofistikuara mjekësore do të jenë në dispozicion të nevojave shëndetësore të presidentit 24 orë në ditë, tha në një konferencë për shyp të hënën pasdite Dr. Sean Conley, mjeku kryesor i presidentit.
Çdo ditë që një pacient qëndron në spital pa qenë e nevojshme, përbën kërcënim ndaj tij,” tha mjeku. “Aktualisht këtu në spital nuk po bëjmë asgjë që nuk mund ta bëjmë fare mirë në Shtëpinë e Bardhë”.
Para se të dilte nga spitali, Presidenti shkruajti në Twitter: ”Mos kini frikë nga COVID-i. Mos e lini t’ju kontrollojë jetën. Administrata Trump ka zhvilluar njohuri dhe mjekime të mrekullueshme. Ndjehem më mirë se 20 vjet më parë!” tha presidenti.
Dr. Conley, mjek i përgjithshëm dhe komandant në Marinën Ushtarake amerikane, foli për gazetarët në oborrin e spitalit, por nuk pranoi të jepte shpjegime kur u pyet ndër të tjera për gjendjen e mushkërive të presidentit. Mjeku tha se nuk mund të ofronte informacione të tilla si rezultat i rregullave për privatësinë e pacientit.
Presidenti po mjekohet me një kurë me steroide që zakonisht nuk jepet kur pacienti ka simptoma të lehta ose të moderuara të COVID-19. Ai po ashtu po merr remdesivir, një ilaç antiviral.
Mjekët e presidentit kanë thënë se kanë “optimizëm të matur” dhe se janë në gatishmëri, pasi siç u shpreh mjeku I presidentit, Dr. Conley “jemi në rrethana të panjohura pasi po e mjekojmë me ilaçe që nuk i jepen zakonisht pacientit kaq herët pas shaqjes së sëmundjes.” “Nëse e kalojmë të hënën me të njëjtat ritme përmirësimi, do të hedhim hapin e fundit dhe do të marrim frymë të çliruar,” tha mjeku./ VOA