Duket se vjeshta do të trokasë këtë javë në vendin tonë, duke lënë pas verën dhe temperaturat e nxehta që karakterizojnë këtë stinë. Këtë gjë e ka bërë të ditur meteorologu Hakil Osmani në studion e “ABC-ja e Mëngjesit” me gazetarin Enkel Demi duke treguar edhe temperaturat që do të përfshijnë vendin tonë gjatë kësaj jave.
Sipas meteorologut Hakil Osmani kjo javë do të shënojë ulje të temperaturave në gjithë territorin e vendit, duke larguar kështu vlerat në rritje. Vendi gjatë gjithë javës do të ketë reshje shiu dhe vranësira në disa zona ndërsa pjesa tjetër do të alternohet me kthjellime.
Osmani tregoi se edhe fundjava do të jetë me reshje shiu, dhe temperatura më të ulta, të cilat janë karakteristike për vjeshtën. “Pjesët e para të ditës mendohet të jenë të kthjellëta por në orët e pasdites pritet që në zonat jugore dhe lindore të vendit do të ketë vranësira dhe reshje shiu ndërsa temperaturat pritet të shkojnë deri ne 33 grade celsius ne vlerat maksimale.
Moti pritet të freskohet gjatë kësaj jave ndërsa deri ditën e premte vlerat e temperaturave do të zbresin deri në 29 gradë. Pra do të kemi ulje të temperaturave në vlerat termike të saj, tipike për vjeshtën”, sqaroi Osmani.