Një grup personazhesh të famshëm, duke përfshirë Kim Kardashian West, Katy Perry, Michael B. Jordan, Ashton Kutcher etj., kanë bllokuar llogaritë e tyre në Instagram dhe Facebook. Sipas “BBC”, kjo nismë është ndërmarrë nga VIP-at në mbështetje të lëvizjes “Stop Hate For Profit” (Ndal Urrejtjes Për Përfitim) për të protestuar atë që organizata e quan “dështimet e përsëritura të Facebook-ut për të adresuar gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin zgjedhor në platformat e tij.”
Një mori reklamuesish me emër, duke përfshirë Starbucks, Coca-Cola dhe Verizon, ndërprenë buxhetet e tyre të mediave sociale këtë verë, pasi “Stop Hate For Profit” u bëri thirrje të bojkotojnë Facebook-un për muajin korrik.
Qëllimi, tha grupi, ishte të bënin presion mbi Facebook për të ndaluar përhapjen e gjuhës së urrejtjes dhe dezinformatave në platformën e tij.
Në mënyrë të veçantë, organizata dëshiron që Facebook të heqë grupe që promovojnë epërsinë e të bardhëve, urrejtjen dhe komplotet e dhunshme, të ndalojë çdo faqe me thirrje për armë dhe të eliminojë përmbajtjet politike dhe ato që lidhen me votimin, etj.
Ngrirja 24-orëshe e llogarive në Facebook dhe Instagram do të konsistojë në një postim që kritikon kompaninë dhe asnjë postim tjetër për ditën.
“Më pëlqen që mund të lidhem drejtpërdrejt me ju përmes Instagram dhe Facebook, por nuk mund të rri dhe të hesht ndërsa këto platforma vazhdojnë të lejojnë përhapjen e urrejtjes, propagandës dhe dezinformimit – krijuar nga grupe që kërkojnë të ndajnë Amerikën – duke ndërmarrë hapa vetëm pasi njerëzit janë vṙarë.
Keqinformimi i shpërndarë në mediat sociale ka një ndikim serioz në zgjedhjet tona dhe minon demokracinë. Ju lutem bashkohuni me mua nesër kur unë do të ‘ngrij’ llogarinë time në Instagram dhe Facebook për t’i treguar Facebook-ut #StopHateForProfit”, -shkroi Kim Kardashian në llogarinë e saj me më shumë se 188 milionë ndjekës.
Të tjerë të famshëm që e kanë mbështetur nismën janë: Sacha Baron Cohen, Naomi Campbell, Judd Apatow, Amy Schumer, Sarah Silverman, Kate Hudson, Leonardo DiCaprio, Rosario Dawson, Isla Fisher, Scooter Braun dhe Mark Ruffalo. Facebook nuk ka pranuar të komentojë.