Skënder Brataj, Kreu i Urgjencës Kombëtare ka deklaruar në një intervistë në “Euronews Albania” se rritja e të infektuarve gjatë muajit korrik, vjen si rezultat i heqjes së masave kufizuese dhe “teprimit me mos respektimin e masave mbrojtëse”. Brataj zbuloi se niveli i të prekurve, mbetet në nivelin e 11-12%.
Ai tha më tej se ka ndryshuar dhe sjellja e virusit, pasi tashmë nuk shkakton dëmtime. Ndaj dhe në shumë raste pavarësisht kryerjes së tamponit, shumë persona të infektuar rezultojnë negativë. “Nëse virusi nuk kryen dëmtime, nuk shfaqen simptoma, ndaj edhe po të kryesh testim nuk del pozitiv. Ndaj është shumë e kujdesshme bërja e tamponit, pasi një person pozitiv mund të dalë negativ dhe pas kësaj lëviz i lirshëm me këtë argument.
Nëse je asimpotomatik, është e vështirë që virusi të dalë nga kryerja e tamponit”, tha Brataj. Ai kërkoi që të ruhet distanca, e mbi të gjitha të qëndrojnë të izoluar në raste të shfaqjes së simptomave,
“Një person që ka shenja dhe simptoma, duhet ta konsiderojë veten të prekur dhe duhet të ruajë distancën dhe të mos dalë. Mos bërja e tamponit, nuk duhet të justifikojë lëvizjen. Konsideroje veten të infektuar, nëse ke shenja dhe ke qenë në kontakt me persona të infektuar. Pasi një person mund të ketë ngarkesë të vogël virale, sa që nuk e kap as tamponi”, shtoi ai.