Dr. Kalo bën një përshkrim të hollësishëm të situatës së koronavirusit në Shqipëri, me elementë të veçantë të përditshmërisë së punës në Spitalin Infektiv. Mëngjesi i tij nis duke shkuar në këmbë në QSUT, pasi siç ai thekson ende nuk është hapur transporti publik në kryeqytet, ndërsa e para që e pret është infermierja Anxhi.
“Kohë kovidiane. 4.07.2020. Një fundjavë si shumë të tjera në këto muaj sfide me Sars-Cov2/Covid-19. Fillon me “gjimnastikën e mëngjesit”, vajtja në këmbë në QSUT sepse mungojnë urbanët, vijon me mbërritjen në pavijon ku të pret Anxhi, një prej infermiereve tona të palodhura e cila gjendet aty pas një natë të ngarkuar, dhe pas veshjes së PPE-ve në pavijon fillojnë vizitat e bisedat për shqetësimet e të sëmurëve jo të pakët të këtyre javëve te fundit.
Një dukuri e veçantë në ecurinë e këtyre ditëve të kësaj “flame mbarëbotërore”, janë shtimet e rasteve në të rinjtë, nën 35 vjeç. Pamje e mëposhtme alarmuese të CT-Cannereve u përkasin pikërisht dy prej tyre. Kurrë mos të harroni se Sars-Cov2/Covid-19 prek çdo moshë si dhe lëndon me rrezik jetëmarrëse jo vetëm ata me komorbozitete dhe moshat e treta. Bëni kujdes vëllezër e motra. Zbatoni me bindje e përpikëri këshillat e profesionistëve për distancim fizik, higjienë personale, ajrim të mjediseve, ushqim, rehidrim, mbajtjen e maskave në mjediset e mbyllura apo të mbipopulluara.
Përkujdesuni si për jetët tuaja por edhe të atyre që gjallojnë pranë jush. Tirana këto kohët e fundit sikur “nuk e ndjen fare” erën e dezinfektimit të rrugëve dhe të mjediseve publike, e jo vetëm. Higjiena kolektive është një domosdoshmëri në këtë sfidë. Po ashtu miq, kolegë, dashamirës dhe bashkëkombas, Sars-Cov-2/COVID-19 nuk ka përkatësi partiake dhe ajo nuk “përkëdhel” të majtët apo të djathtët. Është një virus sëmundje-shkaktues dhe jetë-marrës “Pa dallim Feje, Krahine dhe Ideje”.
Mirëbesimi reciprok dhe ndërgjegjësimi kurrë nuk duhet t’ju mungojë. Asgjë nuk është e pamundshme kur ne bëhemi bashkë në përpjekjet tona. Gjelbërimi e frutëzimi i ullinjve në oborrin e spitalit Covid-1, Shërbimi i Sëmundjeve Infektive në QSUT, janë një dëshmitar i këtij optimizmi real. Together forever!”, shkruan Kalo