Prej muajit mars ku u evidentua pacienti i parë me COVID-19 në Shqipëri, kurba e të infektuarve ka vijuar të jetë në rritje. Ajo çfarë e bën situatën më shqetësuese, gjatë javëve të fundit, është rritja e numrit të personave që marrin ndihmë spitalore. Ndryshe nga priudha e izolimit, ku numri i pacientëve të shtruar ishte rreth 25, aktualisht ky numër është trefishuar duke shkuar në 82 pacientë me COVID-19.
A do të sjellë ky ritëm një kaos në sistemin shëndetësor, duke e futur në kolaps?! Ekspertët ngrenë shqetësimin. Dita kur zyrtarisht u lehtësuan masat dhe koncepti karantinë ra, shumëkush mendoi se sëmundja që na mbajti mbyllur për dy muaj me radhë ishte në “grahmat e fundit”. Të gjithë gabuan, me përjashtim të pak skeptikëve… Koronavirusi është rikthyer frikshëm në vendin tonë, si për jetët e humbura, por, mbi të gjitha, për rritjen e shpejtë e numrit të të shtruarve, të atyre që janë në terapi intensive, apo në intubim.
44 ka shkuar numri i viktimave nga koronavirusi në Shqipëri, i fundit humbi jetën një 62-vjeçar nga Tirana, i cili ishte i shtruar në gjendje të rëndë dhe i intubuar në Spitalin Infektiv. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, aktualisht ndodhen të shtruar në Spitalin Infektiv 82 persona, ku 10 prej të cilëve në terapi intensive dhe një i intubuar.
Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 239 testime për të dyshuar të prekur me Covid19 nga të cilat janë konfirmuar 33 raste pozitive, kryesisht raste të reja ne proces hetimi si dhe kontakte të rasteve të konfirmuara më herët pozitive.
Eksperti i shëndetit publik, Erion Dasho, nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social, parashtron disa të dhëna rreth shtrimeve në spital, ku thekson se kjo situatë mund të krijojë vështirësi të mëdha për sistemin tonë shëndetësor:
1- Nëse në një moment të caktuar diagnostikohen me COVID 100 persona simptomatikë, rreth 10 deri 20 prej tyre mund të kenë nevojë për t’u shtruar në spital. Ky numër është më pranë 20-ës nëse ata që preken janë të moshuar ose të sëmurë kronikë, dhe më pranë 10-ës kur ata që preken janë kryesisht të rinj.
2- Nga personat e shtruar, 1 në 5, apo 1 në 6 do të ketë nevojë për shtrim në reanimacion. Siç u mësua në Itali dhe në Kinë, problemi nuk janë pacientët që shtrohen në spital, por pacientët që kërkojnë shtrim në reanimacion dhe intubim. Nëse sot shtrohen 20 pacientë, pas pak ditësh, 3 ose 4 prej tyre mund të kenë nevojë për t’u shtruar në reanimacion dhe 1 për intubim (ventilator).
Sipas ekspertit, me ritmet e deritanishme të shtrimeve në spital, pas një jave mund të nevojitet çdo ditë një ventilator i ri. Teksa thekson se kjo mund të mos jetë e nevojshme, pasi shpresohet që virusi të ketë humbur disi virulencën apo mjekët të përdorin përafrime më të mira mjekimi që shmangin nevojën për intubim. Por nëse arrihet në pikën ku çdo ditë nevojitet të hyjë në funksionim një ventilator i ri, i cili mund të qëndrojë i zënë për rreth 10 deri në 15 ditë, sipas ekspertit Erion Dasho, kjo situatë do të krijojë vështirësi të mëdha për sistemin tonë shëndetësor. Nga ana tjetër, ministrja e Shëndtësisë, Ogrta Manastirliu, paralajmëron qytetarët se më e keqja nga koronavirusi nuk do të vijë vetëm nëse tregohet kujdes në përditshmëri nga të gjithë, teksa u kërkon të gjithë qytetarëve të ruajnë distancën 1,5 metra, të mbajnë maskë, të lajnë duart shpesh dhe të dezinfektojnë ambientet.