Pandemia e shkaktuar nga koronavirusi ka ndikuar në zbutjen e marrëdhënieve mes Kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta. Deri në fillim të marsit përplasjet mes Qeverisë dhe Presidentit kishin arritur kulmin. Shkak i këtij konflikti u bënë emërimet e anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese, që arriti shkallën më të lartë me thirrjen e një proteste nga ana e presidentit.
Protesta u planifikua më 2 mars në bulevard, përpara Presidencës, duke demonstruar kështu marrëdhëniet tejet të acarta mes dy institucioneve dhe se nuk kishte kthim prapa. Dy drejtuesit e lartë të shtetit, dikur aleatë në qeverisje gjatë mandatit të parë të kryeministrit Rama, ku falë daljes në koalicion të përbashkët politik PS dhe LSI, socialistët erdhën në pushtet pas tetë vitesh opozitës, tashmë shiheshin si kundërshtarë politik.
Por në mënyrë të papritur, si një lëvizje me “shkop magjik” Meta dhe Rama kanë ulur aŕmët dhe publikisht që të dy deklarojnë se paqja e re e vendosur mes tyre lidhet me faktin se Shqipëria po përballet me luftën e re atë të mposhtjes së Covid-19. E ndërsa nuk mungojnë të vlerësojnë njëri-tjetrin për qëndrimet që po mbajnë, aq sa për herë të parë në historinë e pluralizmit, në një republikë parlamentare, presidenti paraqiti disa amendamente, siç ato për Kodin Penal, ndërsa mazhoranca i miraton ato menjëherë, duke i shprehur ovacione për gjestin e kreut të shtetit.
Ky bashkëpunim nuk kishte ndodhur asnjëherë që prej periudhës kur Meta ishte votuar në krye të piramidës drejtuese shtetërore në Shqipëri. Nëpër korridoret e politikës përflitet edhe për një marrëveshje mes Ramës dhe Metës, që mund të shtrijë efektet dhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Një bashkëpunim mes dy partive dhe kjo shihet e favorshme pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit.
Kështu përfliten si skenare, pra që mes dy partive të mos ketë dalje në një koalicion politik, por që të vendoset pas rezultatit të votave për bashkëpunim politik. PS me dy mandate qeverisje e sheh veten si forcë të konsumuar politikisht dhe se një koalicion me LSI-në do t’ia siguronte mandatin e tretë socialistëve. Nga ana tjetër kjo do të sillte dhe qetësi të ujrave të trazuar në presidencë, në ushtrimin e mandatit 5-vjeçar të Metës.
Ky afrim i ri mes Ramës dhe Metës, duket se ka ndikuar dhe në qëndrimet që kryedemokrati Lulzim Basha po mban ndaj kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi. Ndërsa vetë Kryemadhi nuk shkoi në një takim mes krerët e partive opozitare, por preferoi të dërgonte nënkryetarin e LSI-së, Petrit Vasili. Pavarësisht se palët publikisht e mohojnë një bashkëpunim mes PS-së dhe LSI-së, afrimi i bețejës së ardhshme elektorale mund të faktojë aludimet dhe zërat e korridoreve të politikës./gazetashqip/