Në Qarkun e Elbasan situata aktuale e pandemisë Covid 19 nuk është më aq shqetësuese sa disa ditë më pare, kur rastet me të prekur nga virusi i rrezikshëm ishin prezente thuajse gjatë gjithë javës. Rritja e efektivitetit të masave parandaluese përmes ndërgjegjësimit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe rritjes së frymës së bashkëpunimit mes të gjithë aktorëve kanë sjellë stabilizim të situatës.
Sipas të dhënave zyrtare të ditës së sotme, nuk ka raste të reja të dyshuara të zbuluara me Covid 19 . Rasti më i fundit në këtë qytet u rregjistrua mesjavën e kaluar kur rezultoi pozitiv shoferi i një autobuzi të një fasonerie. Fatmirësisht, testimet e kryera në punonjësit e këtij biznesi rezultuan negative dhe që nga fillimi i pandemisë në Elbasan nuk është regjistruar asnjë viktimë për këtë shkak.
Gazetari Fatmir Popja raporton për “Balkanweb” se sipas burimeve zyrtare janë shëruar 16 persona nga 18 që janë prekur nga ky virus. Aktualisht në Qarkun e Elbasanit po punohet me përkushtim maksimal nga të gjithë për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. 284 personave që ju është bërë testi kanë rezultuar negativ, ndërsa janë vendosur ne vetëkaratinim 133 persona dhe një i shtruar në Spitalin Infektiv.
Pas vendimit të marrë nga komiteti ndërministror për menaxhimin e situatës emergjente, për lehtësimin e masave dhe ndarjen e disa zonave të gjelbra në Qarkun e Elbasanit prej kësaj fillim jave në këtë listë janë përfshirë zona e Librazhdit dhe e Përrenjasit .
Këto zona kanë përfituar një sërë masash lehtësuese për qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve. Në këto zona, mosha e tretë nga e hëna është e lirë për të lëvizur në mëngjes çdo ditë deri në orën 08:30 dhe pjesa tjetër e qytetarëve nga ora 09:30 deri në orën 17:30, duke respektuar të gjitha normat e vendosura përsa i përket distancimit social, jo më shumë se dy qytetarë së bashku dhe duke mos frekuentuar parqet, duke mos frekuentuar ambientet apo vendet publike dhe duke marrë të gjitha masat e nevojshme për të minimizuar dhe ruajtur këtë zonë dhe gjithë zonën tjetër të paprekur nga koronavirusi.
Autoritetet vendore dhe ato shëndetësore nga ana e tyre vazhdojnë parreshtur t’u kërkojnë qytetarëve të këtij qarku që të jenë pjesë bashkëpunuese përsa i përket respektimit të të gjitha detyrimeve dhe respektimit të normave e sjelljeve për t’u bërë pengesë për të shpërndarë virusin.
(Balkanweb)