Në një lidhje live në “Facebook”, ministrja e Shëndetësisë ka komunikuar për të gjithë qytetarët lehtësimin e masave duke filluar nga nesër, data 27 prill. Nga dita e hënë fasha e lëvizjes për qytetarët do të zgjerohet nga 90 minuta në 2 orë. “Duke filluar nga dita e hënë, datë 27 Prill, do të zgjerohet fasha e lëvizjes për qytetarët nga 90 minuta në 2 orë, duke ruajtuar parametrat e sigurisë të distancimit social dhe duke zgjeruar mundësinë e kryerjes së shërbimeve thelbësore në një hapësirë kohore më të gjerë”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë ka bërë të ditur edhe kategoritë e bizneseve që do të lejohen të ushtrojnë aktivitetin e tyre duke respektuar protokollet e miratuara që janë të publikuara në e-albania. Të hënën në datë 27 prill do të lejohen të ushtrojne aktivitetet nga ora 05:00-17:30 bizneset si: dyqanet e veshjeve, të tekstileve, të këpucëve dhe artikujve prej lëkure, dyqanet që tregojnë mobilje, pajisje të ndriçimit dhe artikujve shtëpiakë, dyqanet e luleve, bimëve, të kafshëve të shtëpisë dhe ushqimit të tyre në dyqane të specializuara, shërbimi taxi, dyqanet e pajisjeve elektronike, lodrave për fëmijë, pajisjet sportive, pajisjet e telekomunikacionit.
“Keto biznese lejohen të ushtrojnë veprimtarinë e tyre vetëm duke plotësuar dhe zbatuar protokollet e miratuara, duke siguruar kushtet e detyrueshme higjieno-sanitare dhe respektimin e distancimit fizik, për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe punonjësve”, bëri të ditur ministrja.
Top Channel