Në Elbasan sot disa pjesëtarë të komunitetit rom kanë protestuar para zyrave të postës dhe bashkisë për mungesën e ndihmave, pasi sipas tyre ata nuk kanë ushqime të hanë. Sipas tyre mbyllja në shtëpi si masë mbrojtëse për koronavirụsin ka krijuar probleme për mbijetesën. Edhe pse është e ndaluar për të protestiuar, në ‘rezistencën’ e tyre romët nuk kanë respektuar masat e sigurisë, duke qëndruar pranë njëri-tjetrit. Ata kërkojnë shpjegim se përse sorollaten pa arsye, ndërsa shtojnë se ndihma e vetme e marrë nga bashkia ka qenë një pako modeste. Sipas tyre ata nuk kanë me se të mbajnë frymën.
Një qytetare shprehet: ‘Ne jemi të harruar, nuk na kanë ndihmuar fare.’ Ndërkohë një tjetër shton: “Unë paguaj ujin, dritat, tani nuk kemi asnjë të ardhur, as asistencë e as asgjë. Ne jemi të izoluar ku të shkojmë, të na japin ndihma me ushqime bashkia e Elbasanit. Kryetari thotë do ndajmë ndihma dhe nuk na sjell asgje.” Sakaq një tjetër nga komuniteti rom shton: “Unë kam rreth 600 mijë lekë borxhe, tani as dyqanet nuk na japin me listë.”
Nënkryetari I bashkisë Ervin Saraci, sqaroi se ngërçi ka ardhur nga dega e thesarit, ndërsa siguroi se shtesa do u kalojë brenda ditës së sotme. Disa herë komuniteti rom dhe egjyptian ka protestuar në Elbasan për mungesë ushqimesh në keto ditë izolimi. Mbyllja e tregjeve e ka vënë në vështirësi jetesën e tyre./shqiptarja.com