Pipero jep lajmin e mirë : Ky ilaç ka dhënë rezultat për Koronavirus.

Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero ka ndarë përmes emisionit “Vizioni i Pasdites” një lajm të mirë sa i përket situatës së Koronavirus dhe të prekurve në vendin tonë.

Duke iu referuar medikamentit të Klorokinës, Pipero u shpreh se prej ditësh tashmë janë duke e përdorur atë tek pacientët me Koronavirus dhe se ka dhënë rezultat.
 
“Medikamentet bazë, që dhe kolegët në Kine dhe Itali kanë përdorur, antiviralë, antibiotik oksigjeno-terapi, i kemi patur dhe nuk na kanë munguar. Natyrisht medikamenti që ka bërë bujë, dhe i konfirmuar nga FDA klorokina ka ardhur në Shqipëri dhe kemi ditë që e perdorim. Ka rezultate optimiste dhe pse jemi në ditët e para të trajtimit me të “.
Dr. Pipero u shpreh gjithashtu se dy javët në vazhdim janë vendimtare për të përcaktuar vazhdueshmërinë e gjendjes emergjente në Shqipëri. Sipas tij, sëmundja do të arrijë maksimumin e saj, e më pas do të bjerë gradualisht.
“Si çdo epidemi dhe kjo epidemi ka logjikën e saj. Nuk është e ngjashme me epidemitë që kemi kaluar. Kjo javë besoj fort se do të arrijë maksimumin e mundshëm, sipas meje… Askush nuk e parashikon saktë… Java tjetër do të sjellë një gjendje të qëndrueshme. Do të bjerë gradualisht, do të na japë shumë mundësi për të bërë parashikime të sakta, qeverisë më shumë mundësi të rishikojë masat… Kjo javë dhe java tjetër do jene deçizive.”
I pyetur nga moderatorja Evi Reçi, për detaje nga gjendja shëndetësore e mjekut Dhimitër Kraja, i shtruar në spitalin infektiv si mbartës i coronavirus, Pipero u shpreh se gjendja e tij është e mirë dhe se nuk mund të jepte më shumë detaje për arsye etike.