Shkon në 40 numri i personave të shëruar nga koronavirusi në Shqipëri, pasi 7 persona të tjerë të infektuar janë shëruar ditën e djeshme. Lajmi i gëzueshëm është bërë me dije nga kryeministri Rama, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan: “Lajm i mirë: 7 të shëruar ”.
Personat kanë rezultuar negativ pas testeve të bëra, duke e çuar në 40 numrin total të personave që e kanë fituar këtë betejë. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu bëri të ditur se nga 7 të shëruarit dje, dy janë mjekë të spitalit “Shefqet Ndroqi” duke e çuar në total numrin e mjekëve të shëruar në 8.
10 viktima janë shënuar nga virusi vdekjeprurës deri tani në shkallë vendi, ndërsa 11 raste të reja janë identifikuar pozitiv, nga 79 teste të kryera në 24 orët e fundit, duke e çuar në 197 numrin e të infektuarve në të gjithë Shqipërinë.