Italia jep falas ilaçin që dha rezultate pozitive për koronavirusin

Ministria e Shëndetësisë në Itali, njoftoi se ilaçi i përdorur për artrit reumatoid dhe që po jep rezultate të mira në rastet e rënda të pneumonisë intersticiale të shkaktuar nga koronavirusi, do të shpërndahet falas në spitalet që po luftojnë për të shëruar rastet e rënda të infeksionit.

Vendimi erdhi pas rezultateve pozitive të marra më parë në Kinë dhe më vonë edhe në Itali, tek disa pacientë në gjendje kritike dhe që pasi janë trajtuar me këtë ilaç kanë patur përmirësime.

Në shtetin fqinj, medikamenti u përdor fillimisht në Napoli për dy të prekur që vuanin nga pneumonia e rëndë dhe për 24 orë terapia tregoi rezultate të shkëlqyera.

Ndaj, një grup ekspertësh drejtuar nga mjeku i spitalit të Napolit, Paolo Ascierto hartuan një protokoll kombëtar për të shtrirë përdorimin e tij tek pacientët e infektuar me koronavirus që gjenden në kushte shumë kritike./Opinion.al